Nga: Juliet Weisfogel, nxënëse nga Nju-Jorku / The New York Times
Përkthimi: Telegrafi.com
Unë dhe shoqëria ime kurrë nuk e kishim menduar se kjo ditë do të vinte. Rutina e përditshme e mbi 170 milionë amerikanëve mund të shpërbëhet nga një ndalesë kombëtare e TikTok-ut. Por, në anën tjetër pozitive, detyrat e mia të shtëpisë do të mbarojnë shumë më shpejt.
Çdo ditë kthehem nga shkolla në shtëpi rreth orës 3:30 pasdite, me një listë detyrash që, nëse jam e përqendruar, duhet t’i përfundoj deri në orën gjashtë pasdite. Por, zakonisht nuk i mbaroj deri në orën 11 të mbrëmjes. Pse? TikTok-u. Gjithçka fillon rreth orës 3:45 pasdite, kur zakonisht shtrihem në shtrat dhe hap aplikacionin për “vetëm një minutë”. Por, deri në momentin që ngrihem nga shtrati, ai “minutë” është shndërruar në disa orë. Ndërkohë që po e shkruaj këtë, kam mundur ta shpërqendroj veten duke parë një përbindësh portokalli, si ata në Muppet Show, që rrëfente një histori të çuditshme dhe të turpshme nga jeta e një personi që nuk është kukull. Do të “pëlqeja” [like] një video, do të komentoja një tjetër dhe do të vazhdoja duke mbajtur gishtin duke lëvizur. Do të hapja komentet e çdo videoje për të qeshur ose për t’u solidarizuar me të tjerët; shpesh, harmonia në përgjigjet tona krijon iluzionin e një komuniteti – edhe pse secili prej nesh është krejtësisht i vetmuar me telefonin e vet. E dua TikTok-un aq shumë saqë nuk mund ta imagjinoj jetën pa të. Dhe, megjithatë, kam nevojë për një jetë pa të.
Ky aplikacion ka depërtuar në kulturën amerikane. Ndalimi kombëtar i TikTok-ut, i cili hyri në fuqi të dielën, u shpall të premten nga Gjykata Supreme si një vendim që nuk bie ndesh me Kushtetutën. Tani, dyqanet e aplikacioneve në Google dhe Apple do të ndëshkohen për mbajtjen e tij, prandaj aplikacioni është bërë i padukshëm. Presidenti Biden ka thënë se do ta lërë zbatimin e ndalimit në duart e administratës që do të vijë. Ende nuk dihet nëse presidenti i zgjedhur, Donald Trump, do të mund ta frenojë këtë ndalim pasi të marrë detyrën.
Duke pasur parasysh dashurinë time për TikTok-un, mund të mendoni se ideja për ta humbur atë do të më shqetësonte, por në të vërtetë, kjo më mbush me shpresë. E kuptoni, jam një 17-vjeçare e varur nga TikTok-u dhe mbështes plotësisht një ligj që do të më ndante përgjithmonë nga ky fiksim. Mbështetja ime për këtë ndalim nuk ka të bëjë me sigurinë kombëtare. Nuk e di nëse emri im, adresa ime e postës elektronike dhe numri im i telefonit janë të ruajtur në Uashington, Teksas apo Kinë. Ndoshta kjo duhet të më shqetësojë më shumë, por ajo që tani më shqetëson më shumë është e ardhmja e brezit tim.
Ky aplikacion përcakton jetën e të rinjve si unë, udhëzon bisedat tona, zgjedh veshjet tona dhe përcakton atë që blejmë. Vitin e kaluar, TikTok-u më inspiroi të vishja rroba me motive gepardi: Papritmas, ato motive të kafshëve përshtateshin me të gjitha rrobat e tjera nga dollapi im. Pastaj erdhën vetëm xhinset që nxjerrin belin: Një mëngjes, u zgjova dhe pashë se faqja ishte pushtuar nga vajzat me stil – si influencuesja adoleshente Demetra – që vishnin xhinse të ngushta lart që nxirrnin në pah belin e që zgjeroheshin poshtë. Për të përfunduar dukjen, media sociale diktoi trendin e kombinimit me këngë dhe vallëzim [boots and a slick back bun]. Asgjë nuk e shfaq më mirë grimin dhe dukjen [clean girl aesthetic] sesa ky stil flokësh. (Dhe këtë e mësova në TikTok gjithashtu).
Pothuajse çdo drekë dhe darkë jashtë fillon me atë që është virale në TikTok. Ky aplikacion është motor kërkimi për brezin tim. “Ku duhet të shkojmë për sushi”? “Nuk e di. Shikoje në TikTok”!
Nëse TikTok-u do të mbyllej përgjithmonë, ne adoleshentët nuk do të humbnim thjesht një aplikacion plot valle qesharake ose meme të çmendura; do të humbnim një mënyrë jetese, një themel të kulturës rinore. Por, pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të heqim dorë. Ky aplikacion ka depërtuar në çdo cep të ndërgjegjes sonë.
Sipas disa vlerësimeve, më shumë se gjysma e përdoruesve aktivë të TikTok-ut, në një javë, janë midis moshës 18 dhe 34 vjeç, dhe mesatarisht një i rritur i ri kalon më shumë se një orë në ditë në aplikacion, ndërsa disa kalojnë dy orë. (Krenohesha kur mesatarja ime ditore ishte nën një orë.) Nëse duket se TikTok-u di saktësisht çfarë duam të shohim, është sepse e di. Algoritmi mban rreth gjysmën e Amerikës – dhe një pjesë të konsiderueshme të popullsisë rinore – të varur. Ne adoleshentët nuk mund të ndalojmë këtë trend.
Dhe, ndonjëherë, ajo që shohim nuk është aspak ajo që duam të shohim. Algoritmi e di kush duam të jemi dhe si duam të dukemi, dhe na jep edhe më shumë të njëjtën gjë. Në këto video përballemi me pasiguritë dhe dëshirën tonë për t’u pranuar. Njerëzit më të ngritur sinkronizojnë këngët tona të preferuara 24 orë në ditë. Njerëzit më të famshëm na tregojnë festat që po humbasim. Shokët tanë postojnë për kohën që kalojnë pa ne. Algoritmi e përtyp vetëvlerësimin tonë dhe bëhet një plagë që thjesht nuk shërohet. Si mund ta shmangim?
Kohët e fundit, babai im më foli për një reklamë të njohur nga vitet ’80 të shekullit XX, që tregonte një vezë që gatuhej në tigan dhe e krahasonte vezën me trurin e droguar. Me TikTok-un, nuk mund të mos mendoj se çfarë mund t’i ketë ndodhur trurit tonë nga gjithë koha që kemi kaluar duke shikuar ekranin. Gjumi, orët e zgjuara dhe mendimet tona janë dorëzuar në duart e krijuesve të përmbajtjes të cilët fitojnë qindarka nga koha jonë – dhe për arkën e vetë ByteDance-it.
Të gjitha shakatë e mia të përditshme me shoqërinë vijnë nga ato që janë në trend në TikTok. Kohët e fundit qeshëm për një meme që përfshinte Lily-Rose Deppin dhe frazën “Pallto me kopsa lart” [Trench coat buttoned to the top]. Vokabulari im gjithashtu është modeluar sipas gjithë të tjerëve. Një person që e fshin i vetëm TikTok-un, nuk bën shumë; të gjithë të tjerët rreth nesh e përdorin ende. (Kam provuar ta fshij, dhe pastaj e kam shkarkuar përsëri.)
Por, një ndalim i plotë mund ta bëjë këtë. Vezët nuk mund të gatuhen përsëri, por truri ynë mund të shërohet nga dëmi i shkaktuar nëse ne, së bashku, ndalojmë përdorimin e TikTok-ut. /Telegrafi/