Autoritetet mjekësore në Kaliforni kanë thënë se do të hetojnë rastin e një kirurgu plastik, i cili u shfaq në një gjykim “online” për shkeljen e trafikut derisa po kryente një operacion.
Gazeta Sacramento Bee raportoi se Scott Green u paraqit të enjten nga një dhomë operacioni për gjyqin e tij në gjykatën superiore të Sacramentos, i cili zhvillua në formë virtuale për shkak të pandemisë, përcjell Telegrafi.
Ai ishte i veshur me veshje kirurgjikale ku një pacient po i nënshtrohej një procedure, dhe aty mund të dëgjohen tingujt e makinerive mjekësore.
https://www.youtube.com/watch?v=6IpoEv06wls&ab_channel=EpicNews
“Përshëndetje, zotëri Green? Përshëndetje. A jeni në dispozicion për gjykim?”, pyeti një nëpunëse në sallën e gjyqit derisa një oficer i thirrur për t’u paraqitur në gjyq ngriti vetullat. “Duket sikur jeni në një sallë operacioni?”.
“Po jam zotëri”, u përgjigj Green. “Po, gjendem në një sallë operacioni. Jam në dispozicion për gjyqin. Ju lutem vazhdoni”, thotë ai në gjyq, shkruan The Guardian.
Nëpunësja i kujtoi mjekut se procedurat po transmetoheshin drejtpërdrejt sepse gjykimet e trafikut kërkohen nga ligji të jenë të hapura për publikun dhe Green tha se ai e kuptonte. Ai duket se vazhdonte të punonte me kokën ulur derisa priste që komisionari i gjykatës, Gary Link të hynte në dhomë.
Kur Link u shfaq dhe pa mjekun në ekran, gjyqtari hezitoi të vazhdonte me gjykimin nga shqetësimi për gjendjen e pacientit.
“Këtu kam edhe një kirurg tjetër, i cili po e bën operacionin me mua, kështu që unë mund të qëndroj këtu dhe t’i lejoj gjithashtu ta kryejnë operacionin”, shtoi doktori. /Telegrafi/