Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, është nisur drejt Holandës ku është thirrur nga Gjykata Speciale për tu marrë në pyetje.
Këtë e ka bërë të ditur deputeti i Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, i cili ka publikuar një fotografi në Facebook.
Në fotografi, Krasniqi shihet në Aeroportin e Prishtinës, i shoqëruar nga Sherifi dhe zyrtarë të lartë të partisë.
Ndryshe, gjatë ditës për në Hagë pritet të udhëtojë edhe kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj.
Haradinaj të premten e javës së kaluar ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale e Hagës për t’u intervistuar.
Kjo ishte edhe arsyeja që Haradinaj dha dorëheqje nga posti i Kryeministrit. /Telegrafi/