Zhytësit specialistë që vëzhgojnë rrënojat e superjahtit 40 milionë dollarësh që u fundos në Sicili në gusht, duke ia marrë jetën shtatë personave, përfshirë manjatin e teknologjisë britanike, Mike Lynch, kanë kërkuar siguri të shtuar për të ruajtur anijen, për shkak të shqetësimeve se të dhënat e ndjeshme të mbyllura në kasafortat e saj mund t’ju interesojnë qeverive të huaja, thanë burime të shumta për CNN.
Prokurorët italianë që kanë hapur një hetim penal për akuza të shumta të vrasjes nga pakujdesia dhe fundosjes së anijes nga pakujdesia, mendojnë se jahti 56 metra, Bayesian, mund të përmbajë të dhëna shumë të ndjeshme të lidhura me një numër shërbimesh të inteligjencës perëndimore, thanë katër burime të njohura me rastin, transmeton Telegrafi.
Lynch ishte i lidhur me shërbime të inteligjencës britanike, amerikane dhe të tjera përmes kompanive të tij të ndryshme, duke përfshirë kompaninë e sigurisë kibernetike që ai themeloi, Darktrace.
Kjo kompani iu shit firmës së kapitalit privat me bazë në Çikago, Thoma Bravo në prill. Lynch, kompania e gruas së të cilit Revtom Limited zotëronte anijen, ishte gjithashtu një këshilltar i kryeministrave britanikë David Cameron dhe Theresa May për shkencën, teknologjinë dhe sigurinë kibernetike gjatë mandatit të tyre, sipas të dhënave të qeverisë britanike dhe publike të Darktrace.
Anija e fundosur, e shtrirë në shtratin e detit në një thellësi prej rreth 50 metrash, mendohet të ketë kasaforta të papërshkueshme nga uji që përmbajnë dy disqe të ngurtë (hard-drive) super të koduar që mbajnë informacione shumë të klasifikuara, duke përfshirë kodet e kalimit dhe të dhëna të tjera të ndjeshme, tha një zyrtar i përfshirë në planet e shpëtimit, i cili kërkoi të mos emërohej nga CNN. Zhytësit specialistë me kamera në distancë kanë kontrolluar gjerësisht varkën. /Telegrafi/