Site icon Telegrafi

Jahjaga: Pothuajse të njëjtat probleme, në të gjitha komunat

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ka vizituar sot pesë komuna të Kosovës, për të diskutuar me drejtuesit e tyre për problemet e zhvillimit ekonomik dhe për sfidat në këtë fushë, me theks të veçantë në tërheqjen e investimeve të huaja.

Gjatë këtyre vizitave, ajo u shoqërua nga kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryetari i Odës Ekonomik Amerikane, Arian Zeka dhe kryetari i Odës Ekonomike Gjermane, Albert Matoshi.

Sipas një njoftimi të Presidencës, kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, ai i Istogut Haki Rugova, i Pejës Gazmend Muhaxheri, kryetari i Deçanit Rasim Selmanaj dhe ai i Junikut Agron Kuçi e njoftuan Presidenten Jahjaga lidhur me gjendjen në komunat e tyre, problemet me të cilat ballafaqohen ato, si dhe planet për zhvillim.

Më poshtë lexoni deklaratën e bërë pas këtyre vizitave të presidentes Jahjaga:

Pas takimeve të shumta që kam pasur gjatë festave të fundvitit me kryetarë të odave ekonomike në Kosovë, me kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, me kryetarin e Odës Ekonomike Amerikane dhe me kryetarin e Odës Ekonomike Gjermane, si dhe me shumë investitorë, të cilët kanë interes dhe shohin potencial të investimeve të tyre në komuna të ndryshme të Kosovës, janë ngritur shumë probleme, shumë vështirësi, qofshin ato të nivelit komunal, qofshin ato të nivelit qendror, të cilat ua kanë vështirësuar, ua kanë pamundësuar apo edhe i kanë dekurajuar këto investime dhe këta investitorë që të realizojnë investimet e tyre në kuadër të komunave të ndryshme të Kosovës.

Me disa përjashtime të rëndësishme, pa marrë parasysh në çfarë udhëheqje janë komunat, problemet të cilat i kanë diskutuar, si me odat ekonomike ashtu edhe me investitorët e shumtë, janë pothuajse të njëjtat probleme nga njëra komunë në komunën tjetër, qofshin ato me prona, qofshin ato me politikat e taksave të nivelit komunal, qoftë ato edhe me mungesën e kapaciteteve të shërbyesve civilë në nivel të komunave, por qofshin ato edhe në kuadër të bashkëpunimit në mes të komunave të cilat i kanë përafërsisht specifikat e njëjta.

Sot kam filluar me rajonin e Dukagjinit dhe përafërsisht deri në fund të këtij muajit do t’i përmbylli vizitat në të gjitha komunat e Kosovës. Kam pasur takime në Klinë, në Istog, tani në Pejë dhe tani do të vazhdoj edhe në komunën e Junikut dhe të Deçanit. Kemi pasur një bisedë shumë të frytshme dhe kemi analizuar për së afërmi situatën së bashku me të gjithë kryetarët e komunave. /Telegrafi/

Exit mobile version