Kryetari i Partive të Serbëve të Kosovës – PSS (Partija Kosovskih Srba-PKS), Aleksandar Jabllanoviq ka shfaqur pritshmëritë se PSK-ja në zgjedhjet e parakohshme në Kosovë do të marrë mbështetje të madhe të trupit zgjedhor serb.
Ai ka shtuar se partia e tij do të luftojë për të drejta më të mira të popullit serb dhe pozitë më të mirë të të gjithë qytetarëve të tjerë në Kosovë e Metohi, siç e citojnë mediet serbe të jetë shprehur ai.
Jabllanoviq mbrëmë vonë, pas dorëzimit të listës së kandidatëve për deputetët në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, u tha gazetarëve se PSK do të dëshmojë se “Lista Serbe është projekt i tejkaluar dhe mision i gabuar”, meqë nuk ka realizuar asnjë detyrë domethënëse gjatë tri vjetëve e gjysmë.
Sipas vlerësimeve të tij, po vjen koha që serbët në Kosovë e Metohi të pyeten për të drejtat e tyre dhe ardhmërinë e vet.
“Kundërshtari i ynë më i madh politik do të jenë ata që përdorin rrenat e mashtrimet më të mëdha e më të pafytyra. Ata janë njerëz brenda Listës Serbe, të cilët katër vjet kanë gënjyer serbët në Kosovë, nga premtimet e rreme për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, mbi të gjitha të tjerat, deri te formimi i komunës së vendbanimeve Prilluzhë-Plemetin”, ka thënë Jabllanoviq.
Jabllanoviq ka thënë se në listën e PSK-së janë 22 kandidatë, 15 meshkuj e 7 gra.
Vukoje Vukojeviq, i cili bashkë me Jabllanoviqin dorëzoi listën e kandidatëve për deputetë, tha se “serbëve duhet t’u krijohen kushte për qëndrim të sigurt dhe mbijetesë dhe se për këtë duhet forcuar ekonomia”.
“Koalicioni ynë me siguri do të krijojë kushte për një jetë të sigurt, mbijetesë të sigurt. Ne serbët nga Kosova nuk jemi më pak të vyeshëm nga serbët e Serbisë ose nga cilido rajon tjetër”, ka thënë Vujoviq dhe ka shtuar se qëllim i PSK-së është ndërtimi i bashkëjetesës dhe prosperiteti në baza reale, e jo në baza të premtimeve.