Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për Qeverinë Hoti ka bërë që Bashkimi Evropian në Bruksel t’i përcjell me vëmendje zhvillimet që po ndodhin në Kosovë.
Nga BE-ja kanë bërë të ditur se janë në pritje të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje. Kështu kanë deklaruar për Telegrafin nga zyra për media e BE-së.
“Ne jemi në dijeni për vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jemi në pritje të publikimit të aktgjykimit të plotë. Tani ju mbetet institucioneve të Kosovës që vazhdojnë në përputhje me vendimin. BE-ja do të vazhdojë të angazhohet me të gjithë në Kosovë për të promovuar agjendën e integrimit evropian dhe reformat e nevojshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Bashkimi Evropian ka thënë se në këtë fazë është e rëndësishme votimi i buxhetit për vitin 2021, duke u bërë thirrje që Kuvendi paraprakisht ta bëjë një gjë të tillë.
“Është veçanërisht e nevojshme që buxheti i vitit 2021 të miratohet nga ky Kuvend sa më shpejt të jetë e mundur”, kanë deklaruar nga BE-ja për Telegrafin.
Sa i përket çështjes së dialogut Kosovë-Serbi dhe asaj se a do të ndikoj situata e tanishme në Kosovë në këtë proces, BE thekson se është e angazhuar në këtë proces me të dyja palët.
“Bashkimi Evropian do të vazhdojë të angazhohet me bashkëbiseduesit e saj në Kosovë për dialogun Beograd-Prishtinë. Për Kosovën dhe Serbinë, rruga e saj përkatëse drejt BE-së kalon përmes dialogut. Ne vazhdojmë të presim që Kosova të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet e kaluara”, thuhet në përgjigjen e tyre.
Më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin i cili e shpall të pavlefshme votën e Etem Arifit ku si rezultat i kësaj, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Sipas vendimit të Kushtetueses, zgjedhjet janë të parapara të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes nga ana e presidentes në detyrë. /Telegrafi/