Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka shpjeguar ideologjinë politike në të cilën mbështetet.
Kurti ka thënë se e do Kosovën Republikë parlamentare, në raporte tjera me Serbinë dhe me orientim social-demokrat, që ka drejtësi shoqërore; shtet me ushtri të qëndrueshme, njofton Klan Kosova.
“Ne jemi për një Republikë parlamentare, jemi për një marrëdhënie tjetër më Serbinë, jemi për një dialog prej poshtë lartë me serbët në Kosovë. Nga orientimi jemi social-demokratë. Jemi që shteti të mos jetë as spektator, por as ndikues komplet i tregut, por të jetë aktor në zhvillim. Ta lidhë edhe shkollimin me ekonominë”, tha Kurti në emisionin Zona e Debatit në Klan Kosova.
“Unë jam për liberalizim të vizave, por pushteti kur e ka këtë prioritet primar e kur është pushtet autoritar ka një qëllim këtu, largim të popullit edhe më shumë”.
“Unë s’jam për largim të popullit të Kosovës. Një shtet republikan, reciprocitet me Serbinë, ushtri të qëndrueshme jo si të Amerikës e Anglisë, por e krahasueshme me këto të rajonit. Një orientim social-demokrat që të ketë një tatim progresist që lidhet me drejtësinë shoqërore dhe zbutjen e pabarazisë”, tha Kurti.