Bashkimi Evropian ka vendosur ngrirje të aseteve dhe ndalime vizash për disa kompani dhe individë të akuzuar se kanë ndihmuar në financimin e grupit militant palestinez islamik Hamas.
Bëhet e ditur se sanksionet janë raundi i dytë i vendosur nga BE-ja ndaj Hamasit dhe grupeve të Xhihadit Islamik Palestinez pas sulmit të tyre ndaj Izraelit më 7 tetor.
Në përgjithësi, blloku deri më tani ka futur në listën e zezë 12 individë dhe tre entitete të lidhura me militantët.
Ndër objektivat e fundit ishin tre kompani të përdorura nga financuesi kryesor Hamza Abdelbasit për të derdhur fonde për grupin, duke përfshirë kompaninë spanjolle të pasurive të paluajtshme Al Zawaya Group dhe dy të tjera me bazë në Sudan, thuhet në një deklaratë të BE-së.
Gjithashtu nga sanksionet u goditën kreu i “aktiviteteve të investimeve të huaja” të Hamasit, një këmbyes parash që mundëson transferime nga mbështetësi i Iranit dhe zyrtari përgjegjës për grupet “Shoqata e Institucioneve Bamirëse”, shkruajnë mediat e huaja, transmeton Telegrafi.
BE-ja tha gjithashtu se ka vendosur sanksione ndaj Ali Morshed Shirazi, një zyrtar i lartë i Gardës Revolucionare Islamike iraniane që mbikëqyr lidhjet e Teheranit me grupet palestineze nga Libani.
Zyrtari i lartë i Hamasit, Maher Rebhi Obeid, “përgjegjës për drejtimin e operativëve terroristë të Hamasit në Bregun Perëndimor” u vu gjithashtu në listë.
Ndryshe, diplomatët e BE-së thanë se pas sanksioneve të fundit ndaj Hamasit, blloku tani duhet të vendosë një raund të dytë masash që synojnë ekstremistët e dhunshëm izraelitë në Bregun Perëndimor. /Telegrafi/