Site icon Telegrafi

Ja sa do t’i kushtojë Turqisë kriza me Rusinë

Masat shtrënguese ekonomike të marra nga Moska kundër Ankarasë mund t’i kushtojnë ekonomisë turke nëntë miliardë dollarë në skenarët më të këqij, tha sot zëvendëskryeministri turk i ngarkuar me Ekonominë, Mehmet Shimshek.

 

“Ne flasim për një shifër prej nëntë miliardë dollarësh (rreth 8.3 miliardë euro) në skenarët më të këqij”, deklaroi Shimshek në një intervistë për stacionin televiziv NTV. “Tensionet mund të kenë një ndikim prej 0.3-0,4 për qind te PBB-ja”, shtoi ai.

 

Turqia dhe Rusia po kalojnë krizën më të rëndë diplomatike që prej Luftës së Ftohtë, pasi një avion ushtarak rus u rrëzua më 24 nëntor nga ushtria turke, përcjell Shekulli. Kremlini njoftoi masat shtrënguese kundër Turqisë që prekin kryesisht turizmin, energjinë, ndërtimin dhe bujqësinë.

 

“Numri i turistëve ka rënë në 603 000 dhe ndërtimi është ngadalësuar”, nënvizoi Shimshek duke shtuar se “ne nuk jemi për një përshkallëzim të tensioneve”.

 

Presidenti Rexhep Taip Erdogan tha të shtunën se Turqia do të gjente furnizues të tjerë për energjinë nga Rusia, që e furnizon aktualisht me 55 për qind të nevojave për gaz dhe 30 për qind të atyre për naftë.

 

“Mund të gjejmë furnizues të tjerë”, deklaroi Erdogan gjatë një fjalimi televiziv duke iu referuar Azerbajxhanit dhe Katarit në mënyrë të veçantë.

Exit mobile version