Komisioni Evropian kërkoi kontrolle shtesë të sigurisë për vizitorët në Evropë, duke propozuar një sistem online të ngjashëm me atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që merr në shqyrtim udhëtarët pa viza si pjesë e përpjekjeve për të marrë masa të ashpra kundër terrorizmit dhe imigracionit të paligjshëm.
Të dyshuarit për terrorizëm në sulmet e Parisit dhe Brukselit ishin në mesin e më shumë se një milion emigrantëve dhe refugjatëve që kaluan kufijtë e Evropës vitin e kaluar, duke bërë që udhëheqësit e BE-së të rivendosin fokusin në sigurinë e kufijve të jashtëm për rajonin pa pasaporta të zonës Shengen.
Nën një sistem të ri prej 212 milionë euro, që mund të hyjë në funksion në vitin 2020, udhëtarët nga lista e vendeve pa viza të Bashkimit Evropian do të duhen të marrin leje me anë të një sistemi të automatizuar online dhe të paguajnë një tarifë prej pesë eurosh para se të hyjnë në ndonjë nga 26 vendet e zonës Shengen.
Në bazë të sistemit, vizitorët do të duhet të japin të dhënat personale, identifikimin dhe do t’u përgjigjen pyetjeve, të cilat do të verifikohen në bazat e të dhënave të sigurisë së BE-së.