Site icon Telegrafi

BE-ja pret zgjedhjet në Serbi për të rinisur dialogun Prishtinë-Beograd

Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, ka thënë në prag të Samitit virtual me gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, që do të mbahet sot, se ky rajon është prioritet për BE-në.

Varhelyi në një intervistë për Deutsche Welle ka thënë se Ballkani është një rajon me probleme që duhet zgjidhur dhe një nga këto probleme është çështja Kosovë-Serbi.

Në pyetjen se kur do të marrë një zgjidhje konflikti mes Kosovës dhe Serbisë për kufijtë dhe shtetin, Varhelyi u shpreh “Besoj, se do të kemi një mundësi pas zgjedhjeve në Serbi (21.qershor 2020, shën.red.). Shpresoj që pastaj të fillojmë shumë shpejt të punojmë për një zgjidhje. Kam parë sinjale shumë pozitive në lidhje me virusin Corona. ‘Korsitë e gjelbra’ që u ngritën në të gjithë unionin për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kamionëve të transportit janë ngritur po ashtu edhe në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky është një sinjal pozitiv shumë premtues, kur të bëhet fjalë që të zgjidhim edhe problemet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Duke folur për përfshirjen e SHBA-së në negociatat Kosovë-Serbi, diplomati hungarez tha se nuk bëhet fjalë për një garë.

“Ky problem është shumë më i rëndësishëm, se pyetja, se kush do të marrë kurorën e dafinave në fund me suksesin e negociimit. E rëndësishme është që të kemi një zgjidhje. Ne jemi partnerët strategjikë të SHBA në këtë rajon dhe duhet të punojmë së bashku. Për sa i përket kontributit tim, jam më se i gatshëm që të luaj një rol këtu. Do të angazhohem as më shumë të jetë e mundur”.

Varhelyi ka folur edhe rreth Samitit të Zagrebit.

“Samiti trajton të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ju e dini, që Ballkani është një rajon me diversitet. Kemi dy shtete, me të cilat ne negociojmë për anëtarësimin. Po ashtu kemi dy shtete, me të cilat kemi vendosur të fillojmë negociatat. Kemi edhe dy shtete të tjera, që as nuk janë kandidatë. Zgjerimi pra është vetëm një element. Natyrisht që do të jetë temë. Bëhet fjalë për perspektivën evropiane, që është një fjalë tjetër për zgjerimin. Por edhe për vendime strategjike, që duhet të marrim për Ballkanin Perëndimor”.

Diplomati hungarez tha më tej se pandemia e ka përforcuar angazhimin tonë për Ballkanin Perëndimor.

“Nëse shikoni, se çfarë po bëjmë aty, e kuptoni që kemi nisur ndihmë konkrete në të gjashtë shtetet. Kemi kërkuar që nga dita e parë kontakt për të ndihmuar në këtë krizë. Elementi i dytë i rëndësishëm është natyrisht nevoja që të investojmë në rajon në mënyrë strategjike. Kjo vlen si për politikën edhe për ekonominë. Nga ana ekonomike ne mundemi e duhet të bëjmë më shumë. Shpresoj, që në këtë drejtim nga samiti mundësisht të vijnë mesazhe të qarta të krerëve të shteteve e qeverive”.

Sipas tij, e rëndësishme tani është që krerët e shteteve dhe qeverive kanë vendosur të mbajnë takimin, megjithë situatën, edhe pse është një takim virtual.

“Ky është një sinjal për të gjithë, jo vetëm për rajonin, që ne e kemi vërtet seriozisht, kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor. Ne e shohim atë si një prioritet evropian. Natyrisht, do të ishte shumë e rëndësishme të ulemi në një tavolinë, nëse flasim për planin për investime ekonomike pas krizës. Shpresoj që këtë ta bëjmë së shpejti”. /DW/

Exit mobile version