Ministrat e jashtëm të BE-së diskutuan gjatë një video-takimi të posaçëm për situatën në Bjellorusi dhe duan t’i ndëshkojnë me sanksione përgjegjësit për dhunën policore dhe mashtrimet elektorale.
Ministri gjerman i Punëve të Jashtme, Heiko Maas, në cilësinë e kryetarit të radhës së Këshillit të BE-së, tha pas takimit se presioni ndaj Presidentit bjellorus Aleksandër Lukashenko duhej të shtohet.
Për këtë qëllim BE-ja do të kërcënojë me sanksione ndaj personave përgjegjës për keqtrajtimin e demonstruesve dhe numërimin e diskutueshëm të fletëve të votimit në zgjedhjet e së dielës së kaluar në Bjellorusi, raporton dw.
Objekt i sanksioneve mund të bëhet edhe rrethi i ngushtë i drejtuesve politikë në Minsk. E hapur ka mbetur çështja nëse ndaj Presidentit bjellorus Lukashenko duhet të ndërmerren masa ndëshkuese.
Ministri i Jashtëm polak, Jacek Czaputowicz tha pas video-takimit se Komisionit të BE-së i ishte dhënë detyra që të hartojë një listë me sanksione. Por para se të hyjë në fuqi kjo listë duhet të miratohet përsëri zyrtarisht nga ministrat e jashtëm.
Presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, do ta përpilojë këtë listë sa më shpejt që të jetë e mundur, sepse ajo vetë u shpreh qartë në favor të sanksioneve përpara takimit të ministrave. Ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Jean Asselborn madje foli për “terrorizëm shtetëror” në Bjellorusi.
Fqinjët e drejtpërdrejtë të Bjellorusisë, Polonia, Lituania dhe Letonia kërkuan përsëritjen e zgjedhjeve presidenciale nën mbikëqyrjen ndërkombëtare. Kryeministri çek Andrej Babis madje propozoi një samit të posaçëm të krerëve të shteteve dhe të qeverive të BE-së për Bjellorusinë. /deutchewelle/