Site icon Telegrafi

BE-ja përshëndet marrëveshjen dhe qasjen konstruktive të Zaev dhe Vuçiq

Bashkimi Evropian sot e përshëndeti zgjidhjen e çështjes bilaterale ndërmjet Serbisë dhe Maqedonisë, njofton Telegrafi Maqedoni.

Me rastin e arritjes së marrëveshjes prej pesë pikëve në mes kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev dhe kryetarit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, nga komisioni Evropian vlerësojnë se çështja është e zgjidhur me “qasje konstruktive” nga të dyja palët.

“E përshëndesim faktin që ky rast është zgjidhur në mënyrë konstruktive. Respekti i ndërsjellë, marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal mbeten baza për rrugën evropiane të gjithë rajonit”, deklaroi zëdhënësja e Komisionit evropian, Maja Kocijançiq.

Më parë, ajo u shpreh se BE me kujdes e ndjek zhvillimin e ngjarjeve ndërmjet Beogradit dhe Shkupit, por refuzoi të japë koment për çështjet bilaterale ndërmjet dy vendeve.
“Shpresojmë të dyja palët të tregojnë maturi dhe t’i zgjidhin problemet në mënyrë paqësore, me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore”, tha Kocijançiq më herët sot./Telegrafi/

Exit mobile version