Site icon Telegrafi

BE-ja në pritje të vendimit të Kushtetueses për Ligjin për Zyrtarët Publikë

Bashkimi Evropian është në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Ligjin për Zyrtarët Publikë, i cili gjatë javës u dërgua për herë të dytë në këtë gjykatë me gjithë ndryshimet e bëra në të.

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë tha se ky Ligj lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij dhe se presin që Kosova t’i përmbushë zotimet për një kornizë legjislative në përputhje me standardet e BE-së.

Në një përgjigje për RTV21, zyra e BE-së në Kosovë tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë parasysh këshillat e BE-së dhe se ligji nuk i trajton rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2023 në mënyrë adekuate dhe rrezikon të shkojë kundër tyre.

“Shqetësimet tona kryesore, që janë ngritur në opinione të ndryshme të BE-së për këtë ligj, kanë të bëjnë me ndryshimet që janë bërë në pozitat udhëheqëse në shërbimin civil, duke e lejuar përkohësinë dhe jostabilitetin përmes përcaktimit të mandateve të kufizuara në kohë dhe rekrutimit të jashtëm për të gjitha pozitat udhëheqëse, në vend të sigurisë dhe parashikueshmërisë në karrierën e shërbyesve civilë të nevojshëm për profesionalizimin e tij. Për më tepër, ai lejon diskrecion të tepruar në rekrutimin dhe transferimin e shërbyesve civilë, duke e minuar paanshmërinë e tij. Gjithashtu, me keqardhje shohim se të gjitha ndryshimet e tilla të Ligjit për Zyrtarët Publik i janë dorëzuar Parlamentit pa konsultime paraprake publike”, thuhet në përgjigjen e zyrës së BE-së në Kosovë.

Lexo po ashtu LDK dorëzon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

Ditë më parë PDK-ja dhe LDK-ja, dërguan në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke akuzuar pushtetin për tendenca për kapjen e institucioneve të pavarura. Këto akuza u mohuan nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila tha se në Ligjin për Zyrtarët Publikë janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e BE-së dhe jo vetëm.

Ndërkohë, BE-ja tha se është në pritje të vendimit të Gjykatës për Ligjin për Zyrtarët Publikë, dhe se pret nga Kosova që t’i përmbushë zotimet për një administratë publike profesionale.

Lexo po ashtu Edhe PDK-ja dërgon në Kushtetuese Ligjin për Zyrtarët Publikë

“Reforma e Administratës Publike është pjesë esenciale e rrugës së Kosovës drejt BE-së. Sipas Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit dhe Agjendës së Reformës, Kosova është zotuar ta zhvillojë një administratë publike profesionale, efikase dhe llogaridhënëse për ta sjellë Kosovën më afër BE-së dhe për të mirën e qytetarëve. Për këto arsye, ne presim që Kosova t’i përmbushë këto zotime dhe ta ketë një kornizë legjislative që është në përputhje me standardet e BE-së. BE-ja është në pritje të vendimit të Gjykatës për këtë çështje”, tha zyra e BE-së për RTV21.

Më 30 tetor të këtij viti shumica parlamentare miratoi ndryshimet në Ligjin për zyrtarët publikë pasi Gjykata Kushtetuese kishte shpallur të pavlefshme disa nene të këtij ligji, duke e obliguar Kuvendin t’i bënte ndryshimet e nevojshme.

Exit mobile version