Site icon Telegrafi

BE-ja fton Kosovën që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë

Komisioni Evropian (KE) ka kërkuar nga Kosova që të liberalizojë tregun e energjisë elektrike me pakicë, për t’iu dhënë konsumatorëve vendor të drejtën e lirë për të zgjedhur furnizuesin e tyre.

Zëdhënësja e KE-së, Ana Pisonero ka thënë se Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) do të duhej që të zbatojë zotimet e Kosovës dhe të liberalizohet tregu plotësisht, pra edhe për energjinë elektrike me pakicë.

“Liberalizimi i tregjeve të energjisë elektrike me pakicë e rrit konkurrencën dhe inovacionin, e siguron lirinë e zgjedhjes për konsumatorët dhe i fuqizon ata që të marrin pjesë aktive në tranzicionin e energjisë, përderisa masat zbutëse janë të mundshme për të mbrojtur konsumatorët në vështirësi dhe për të trajtuar varfërinë energjetike. Prandaj, vazhdojmë që të inkurajojmë ZRRE-në që të zbatojë planin për liberalizimin e tregut me pakicë të energjisë elektrike në Kosovë, në përputhje me zotimet e Kosovës lidhur me Paketën e Tretë të Energjisë dhe kërkesat e tjera të Komunitetit të Energjisë”, tha Pisonero për DTT-Net.

Lexo po ashtu Paralajmërimet për shtrenjtimin e rrymës, Kuvendi sot në seancë të jashtëzakonshme

Thirrje drejtuar Qeverisë së Kosovës për liberalizimin e tregut së fundi ka pasur edhe partitë opozitare, përderisa institucionet dhe ZRRE-ja deri më tash nuk kanë dhënë ndonjë sqarim pse kjo nuk po bëhet.

Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancë të jashtëzakonshme lidhur me paralajmërimet për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Kjo seancë është thirrur nga PDK-ja, në koordinim edhe me partitë tjera opozitare, LDK-në dhe AAK-në. /Telegrafi/

Exit mobile version