Site icon Telegrafi

BE-ja dhe Gjermania investojnë 49 milionë euro shtesë në përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë

Zyra e BE-së në Kosovë në bashkëpunim me Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Asociacionin e Komunave të Kosovës, shënuan përfundimin e një projekti trevjeçar kushtuar përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave të ngurta në Kosovë dhe prezantuan aktivitetet e reja të nisura në këtë sektor.

Sipas njoftimit për media thuhet se projekti i finalizuar së fundmi me vlerë 7 milionë euro është financuar bashkërisht nga Bashkimi Evropian dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe është zbatuar nga GIZ-i.

Si rezultat i këtij projekti, pati një rritje të grumbullimit të mbeturinave të ngurta në të 38 komunat e Kosovës nga 57.8 përqind në 90.2 përqind, zgjerim të shërbimit të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave duke përfshirë 77,000 familje shtesë dhe mbyllje të më shumë se 1,500 deponive ilegale.

“Projekti i financuar nga BE-ja dhe Gjermania për mbështetjen e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë ka dhënë rezultate mbresëlënëse gjatë tre viteve të fundit”, tha Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Liburn Aliu.

“Përveç rezultateve të prekshme në terren, projekti gjithashtu na ndihmoi të zhvillojmë një kornizë strategjike kombëtare për menaxhimin e mbeturinave që do të drejtojë punën tonë të ardhshme për trajtimin dhe riciklimin e mbeturinave. Ne mezi presim të punojmë me BE-në dhe Qeverinë Gjermane për të përmirësuar më tej, në përputhje me standardet e BE-së, menaxhimin e mbeturinave dhe mbrojtjen e mjedisit në Kosovë”, shtoi ai.

Projekti mbështeti gjithashtu punën e kompanive rajonale dhe atyre lokale të grumbullimit dhe menaxhimit të mbeturinave.

“Tarifa e grumbullimit të mbeturinave është rritur për 4 milionë Euro gjatë tre viteve të fundit dhe 15 komuna kanë filluar të zbatojnë aktivitetet e riciklimit dhe kompostimit”, tha kryetari i Asociacionit të Komunave të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetar i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu.

Përmes projekteve të reja, me vlerë 49 milionë euro, BE-ja dhe Gjermania do ta ndihmojnë Kosovën në harmonizimin e kornizës së saj ligjore për menaxhimin e mbeturinave me legjislacion të BE-së dhe do të mbështesin zbatimin e Ligjit të ri për Mbeturina dhe Strategjisë së Kosovës për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.

“Ne po e ndihmojmë modernizimin e sektorit të menaxhimit të mbeturinave në Kosovë në përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së dhe praktikat më të mira, por çelësi është në duart e autoriteteve kosovare. Shpresojmë që së shpejti të miratohen dokumentet ligjore dhe të fillojë zbatimi i masave të parapara”, tha Shefi i Bashkëpunimit të BE-së në Kosovë, Johannes Madsen.


BE-ja dhe Qeveria Gjermane po vazhdojnë të mbështesin reformat e qëndrueshme në sektorin e menaxhimit të mbeturinave në Kosovë.

“Qëllimi ynë është të shohim tranzicionin e Kosovës drejtë ekonomisë qarkore duke mundësuar një mjedis të pastër dhe duke mbrojtur shëndetin publik. Jemi veçanërisht krenarë për rritjen e rolit të sektorit privat në skemat e riciklimit, si dhe për planet dhe marrëveshjet e menaxhimit të integruar ndër-komunal të mbeturinave që ndihmuam të arrihen”, tha drejtori i GIZ Kosova, David Oberhuber. /Telegrafi/

Exit mobile version