Kryetarët e komunave të Kosovës, sipas deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, po dalin të jenë goxha pasanikë.
Më herët lajmi.net raportoi për kryetarin më të ‘varfër’ të Kosovës, i cili është Rufki Suma i Hanit të Elezit. Suma ka vetëm një pronë të paluajtshme, shtëpinë ku jeton dhe nuk ka veturë fare. Me të ardhura nuk qëndron keq, por për dallim nga pasuria e kryetarëve të tjerë, ai mund të vlerësohet si i varfër.
Shtëpia ku banon Ramadan Muja, kryetar i Prizrenit nga Partia Demokratike e Kosovës, ka 250 metra katror dhe kap vlerën prej 150 mijë eurosh.
Muja ka para të gatshme në bankë 103,416 euro, ndërkaq ka deklaruar rrogën vjetore prej 18,664 euro dhe pensioni prej 1,896 euro, shkruan lajmi.net
Kryetari i komunës së Ferizajt, Muharrem Svarqa i LDK-së, ka pronë të paluajtshme në vlerë prej 414,800 euro. Vetura e tij ka koston prej 7 mijë e 500 euro, ndërkaq para të gatshme në banka së bashku me bashkëshorten e tij kanë mbledhur gjithsej 18,656 euro. Paga vjetore e Svarqes është 15,567 dhe meditje në vlerë prej 287.60. Krejt në fund të deklarimit, ai sqaron se shtëpia ku banon e cila është në emrin e nënës, në fakt është pronë e tij.
Agim Bahtiri i Mitrovicës nga AKR-ja e Behgjet Pacollit, është pronar i pasurisë së paluajtshme në vlerë prej 1 milion e 422 mijë euro. Në fakt këto prona ai i ka deklaruar si pasuri e “Përbashkët”. Por pasuri të luajtshme ka një veturë Q7 e cila vlen 10 mijë euro. Në bankë, Bahtiri ka para të gatshme 5,515 euro, ndërkaq ka deklaruar se 450 mijë euro ka “detyrim financiar ndaj personave juridik dhe fizik”. Pagën vjetore e ka deklaruar 15,753 euro.
E kryetari më i pasur i komunës po del të jetë Lutfi Haziri i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Haziri është pasanik me 1 milion e 760 mijë euro vlerë të pronave të paluajtshme. Vetëm dy prej tyre i ka deklaruar në emër të bashkëshortes së tij. Vetura e tij kushton 3 mijë euro, ndërkaq para të gatshme në bankë së bashku me gruan e tij, kanë 214,223 euro.
Sipas formularit të deklarimit të pasurisë, Haziri edhe pse ka para të gatshme, ai ka edhe një kredi prej 29,625 euro. Paga vjetore e tij nuk dallon shumë nga kryetarët e tjerë. Haziri merr 15,512 euro në vit.