Telegrafi

Ja cilave shtete u ka borxhe Greqia

Ministri grek i Financave tashmë e ka bërë thuajse zyrtare refuzimin e këstit të borxhit prej 1.6 miliard eurosh ndaj FMN-së, ndërkohë që në total, borxhi i Greqisë ndaj huadhënësve ndërkombëtarë (BE, FMN, BQE) është në shifra edhe më alarmante.

Konkretisht, Greqia është borxhli në shifra rekord ndaj Gjermanisë, me plot 68.2 miliardë euro, e më pas vijnë vende të tjera të BE-së si Franca, Italia dhe Spanja, që në rend zbritës presin të shlyhen nga Athina zyrtare përkatësisht me 43.8, 38.4 dhe 25 miliardë euro, raporton Telegrafi.

Institucioneve ndërkombëtare, si FMN-së dhe BQE-së, Athina u detyrohet 21.4 miliardë dhe 18.1 miliardë euro në total. Nga kjo shumë Greqia nuk arriti dot të shlyejë edhe këstin prej 1.6 miliardë eurosh që duhej ta bënte me katër ndarje brenda qershorit, por që e shtyu disa ditë më parë për ta refuzuar tashmë përfundimisht.

Ndër kreditorët “e vegjël”, por jo me kontribute edhe aq të vogla në ndihmën ndaj Greqisë, renditen edhe Holanda (13.4 miliardë euro), SHBA-ja (11.3), Britania e Madhe (10.8), Belgjika (7.5), Austria (5.9) dhe Finlanda (3.7). /Telegrafi/