Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po ballafaqohen edhe me problemin e ushqimit gjatë ditëve kur organizohen protestat. Atyre iu ofrohet ushqim jo kualitativ, për të cilin prokurimi i Policisë paguan një shumë mjaft të lartë parashë. Përveç kësaj, ata po japin një imazh jo të mirë derisa shihen të shtrirë nëpër vende të ndryshme duke ngrënë ushqim, apo edhe duke pushuar në intervalet kur gjendja është e qetë.
Disa policë i kanë thënë KosovaPress-it, se në momentin që ata dalin në protesta, ushqimi është i dobët dhe nuk ndihen mirë kur janë të detyruar të ushqehen në rrugë. Po ashtu, sipas burimeve në protestën e fundit, që u mbajt nga tri partitë opozitare më datën 26 shkurt, ishin helmuar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës nga komuna të ndryshme. Ata madje janë ankuar që me ushqime të tilla nuk mund të qëndrojnë kohë të gjatë në këmbë e as të ballafaqohen me gjendjen aktuale të protestave.
Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani tha se Policia e Kosovës lë shumë dilema sa i përket dyshimeve për mundësinë e keqpërdorimit me paratë publike dhe formën se si është bërë.
Ai deklaroi se ushqimi që iu ofrohet policëve gjatë protestave nuk është aspak kualitativ dhe nuk përputhet në asnjë mënyrë me çmimet që shihen nëpër tenderët e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.
“Tenderi i policisë për ushqim sikurse shihet që është i negociuar, edhe sikurse ka informacione se ka pasur dështime të paktën dy herë të furnizimit me ushqim. Definitivisht lë shumë dilema dhe lë shumë dyshime për mundësinë e keqpërdorimit me paratë publike dhe formën se si është bërë. Absolutisht se lenë dyshime tepër të mëdha edhe sa i përket kualitetit të ushqimit që iu ofrohet policëve, sidomos nëpër situata kur ka protesta dhe të njëjtën kohë edhe për nga çmimi, sepse definitivisht çmimi është tepër i lartë nëse krahasohet me ushqimin që i ofrohet policëve ato ditë”, tha Ramadani.
Ramadani tha se Policia e Kosovës duhet të ketë kujdese edhe në imazhin që i ofron gjatë ditëve të protestave.
“Absolutisht, mendoj që Policia e Kosovës duhet të ketë kujdes edhe në imazhin që e ofron, është e papranueshme për një polici demokratike që kërkon mbështetjen e popullatës. Është e papranueshme që të shihen policët e shtrirë duke ngrënë ushqim në atë formë sepse kjo jep një shenjë dhe një imazh jo të mirë dhe jopërkrahës”, tha Ramadani.
Ai tha se nuk mund të zhvillohet dhe të rritet integriteti i policisë si organ nëse ka dyshime tepër të mëdha për manipulim me tenderë dhe të njëjtën kohë kur shihen policët derisa ushqehen në tokë.
Ndërsa, përfaqësuesi i Institutit Demokratik të Kosovës, Artan Canhasi tha se kur flasim për nivelin e ultë të Policisë, ata janë mjaftë stabil në këtë drejtim.
“Në përgjithësi po flasim për nivelin e ulët të Policisë dhe në këtë drejtim janë mjaftë stabil. Mirëpo, deri më tani kemi parë në disa gjetje që kanë të bëjnë me probleme lidhur me prokurimin publik dhe kjo është pika e dobët, ndoshta e institucionit të Policisë së Kosovës, për shkak se gjatë viteve të fundit kemi vërejtur një numër të kontradiktave apo çështjeve të tjera që kanë lënë të kuptohet që ka keqpërdorim e në këtë institucion. Kemi rastin e veturave të Policisë ku nuk kanë mundur që të blejnë vetura për një numër të viteve. Kemi një problem me këpuca, me çizmet e policëve në teren, makinave. Do me thënë, ka një seri të problemeve që kryesisht lidhen me prokurimet në Polici”, tha Canhasi.
Zëdhënësi iPolicisë sëe Kosovës, Daut Hoxha përmes një e-maili ka thënë se policët ushqehen në varësi nga gjendja aktuale.
Hoxha tha se siç edhe po shihet gjendja në Kosovë është mjaftë e tensionuar dhe policët nuk kanë kohë të mjaftueshme që të ushqehen me gjera të lëngshme, por ata detyrohen të ushqehen me ushqime të thata.
Hoxha ka bërë të ditur se secila pako ka çmimin e vet varësisht nga përmbajtja. Shuma e 35 pakove nga një në total është 145,43 euro (vlera e ofertës), ndërsa është vlerësuar se për periudhën kohore sa është valide kontrata, varësisht nga angazhimet në terren, Policia e Kosovës mund të shpenzojë deri në 300,000 euro me këtë kontratë.
Këtu mund të lexoni edhe email-in e plotë nga Policia e Kosovës:
“Kontrata për ushqim mundëson 35 pako të ndryshme për nga përmbajtja, me qëllim të llojllojshmërisë së ushqimit, që policët të mos ushqehen me të njëjtin ushqim çdoherë sepse siç dihet nuk është e shëndetshme. Secila pako ka çmimin e vet varësisht nga përmbajtja. Shuma e 35 pakove nga një në total është 145.43 (vlera e ofertës) ndërsa është vlerësuar se për periudhën kohore sa është valide kontrata, varësisht nga angazhimet në terren (e që siç dihet ekziston mundësia që të kemi angazhime të shpeshta për shkak të situatës në vend) Policia e Kosovës mund të shpenzoj deri në 300,000 euro me këtë kontratë (si vlerë e kontratës). Secili polic i angazhuar në detyra të veçanta gjatë operacioneve furnizohet me një nga 35 pakot e parapara në kontratë. Pako që u shërb ehet varet nga natyra e detyrës konkrete që ata kryejnë, d.m.th. ushqimi i thatë kur situata kërkon konsumin e shpejt dhe më të lehtë, ndërsa ushqim i lagësht në situata ku vlerësohet se situata lejon komoditetin e konsumimit më të relaksuar të ushqimit. Në datën që ju potenconi zyrtarët policor të angazhuar kanë marrë pakon 2 sipas kontratës (ushqim i thatë), e cila sipas kontratës ka çmimin 3.1 euro”