Forcat Mbrojtëse të Izraelit të njohura si IDF kanë publikuar video nga Gaza, me të cilat duan të tregojnë sesi Hamasi po i mban armët në vendet ku luajnë fëmijët, në xhami dhe objekte tjera civile – ku nga atje lansojnë raketa.
Pas disa ditës dhe nga fillimi i ofensivës tokësore, forcat izraelitë në masë të madhe janë futur në Gazë dhe për këtë janë duke u publikuar video të shumta nga ky rajon, që është bërë pothuajse rrafsh me tokë nga bombardimet, transmeton Telegrafi.
Në një seri të publikuara dje, ata duan të arsyetojnë sulmet kundër Hamasit, për të cilët thonë se po i shfrytëzojnë civilët si mburojë.
Një prej videove shfaq xhaminë si dhe një hapësirë tjetër me vizatime të fëmijëve. IDF-ja thotë se bëhet fjalë për një kënd lodrash që të njëjtën kohë Hamasi po e shfrytëzon për lansimin e raketave në Izrael.
Sipas Kombeve të Bashkuara, çdo 10 minuta humb jetën një fëmijë në kampet palestineze të refugjatëve, e sipas ministrisë palestinezë të Shëndetësisë, nga 10 mijë të vrarët, gjysma e tyre janë fëmijë. /Telegrafi/