Telegrafi

Izraelitët pretendojnë se kanë vrarë komandantin e lartë të Hamasit gjatë sulmeve ajrore në jug të Gazës

Ushtria izraelite e njohur si IDF mund të ketë vrarë komandantin më të lartë të Hamasit në një sulm ajror në Nseirat, në kampin e refugjatëve në jug të qytetit të Gazës.

Bëhet fjalë për Marwan Issa – zëvendëskomandanti i Hamasit besohet të ketë qenë brenda objektit që është goditur nga raketat e aeroplanëve izraelitë, transmeton Telegrafi.

Herzi Halevi, gjenerali i ushtrisë izraelite ka konfirmuar të dielën se komandantët e lartë të Hamasit janë goditur rëndë – duke thënë shkurt se bëhet fjalë për Issa-n.

Në anën tjetër, Hamasi nuk ka komentuar këto pretendime, duke heshtur për sulmet izraelite në kampin e refugjatëve.

Ndërkaq IDF-ja izraelite është duke vazhduar operacionet kundër pozicioneve të grupit militant të Hamasit në Rripin e Gazës. /Telegrafi/