Site icon Telegrafi

Izraeli “zgjeron frontin”, thotë se ka nisur sulmet ndaj objektivave Houthi në Jemen

Ushtria izraelite thotë se ka sulmuar objektivat Houthi në Jemen, duke përfshirë një termocentral dhe një port detar që përdoret për të importuar naftë.

Agjencia e lajmeve Reuters po raporton gjithashtu se sulme ajrore goditën portin Hodeidah të Jemenit, përcjell Telegrafi.

Huthi-t janë pjesë e një aleance rajonale të lidhur me Iranin, e cila përfshin gjithashtu Hamasin dhe Hezbollahun e Libanit.

Ata qeverisin zona të Jemenit, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa, më shumë se 1,500 km larg Izraelit.

Houthi-t kanë fajësuar Izraelin për jostabilitetin në Lindjen e Mesme, duke thënë se “rrethi i konfliktit” në rajon u nxit nga “krimet e vazhdueshme”.

Një deklaratë nga ushtria izraelite ka konfirmuar tani se dhjetëra aeroplanë, përfshirë ata luftarakë, sulmuan termocentralet dhe një port detar në portet Ras Issa dhe Hodeidah.

“Gjatë vitit të kaluar, Houthi-t kanë vepruar nën drejtimin dhe financimin e Iranit dhe në bashkëpunim me milicitë irakiane për të sulmuar shtetin e Izraelit, për të minuar stabilitetin rajonal dhe për të prishur lirinë globale të lundrimit”, thuhet në deklaratë.

Banorët thanë se sulmet shkaktuan ndërprerje të energjisë elektrike në shumicën e pjesëve të qytetit port të Hodeidah.

Militantët Houthi kishin gjuajtur raketa në drejtim të Izraelit gjatë dy ditëve të fundit. /Telegrafi/

Exit mobile version