Site icon Telegrafi

Izraeli urdhëron evakuimin masiv të palestinezëve nga një pjesë e Khan Younis në Gaza

Ushtria izraelite ka urdhëruar një evakuim masiv të palestinezëve nga gjysma lindore e Khan Younis në Gazën jugore.

Izraeli e përfundoi ofensivën e tij në qytet në fillim të këtij viti dhe tërhoqi shumicën e forcave të tij, por kjo tregon se trupat mund të kthehen së shpejti, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Pjesa më e madhe e Khan Younis ishte shkatërruar tashmë në një sulm të gjatë në fillim të këtij viti, por një numër i madh palestinezësh janë kthyer që atëherë për t’i shpëtuar një sulmi tjetër izraelit në qytetin më jugor të Gazës, Rafah.

Kjo vjen pasi Benjamin Netanyahu tha se Izraeli pothuajse ka përfunduar me eliminimin e kapaciteteve ushtarake të Hamasit në Gaza.

Rreth 37,900 palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 87,000 janë plagosur në ofensivën e vazhdueshme ushtarake nga IDF, ka thënë ministria e shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi.

Banorët e disa lagjeve në Khan Younis lindore thanë se kishin marrë mesazhe audio nga numrat e telefonit izraelitë që i urdhëronin ata të largoheshin nga shtëpitë e tyre.

Në një deklaratë të hënën, ushtria izraelite theksoi se raketat e lëshuara në Izrael ishin hedhur nga zona Khan Younis.

Xhihadi Islamik, një aleat i Hamasit – që të dy mbështeten nga Irani – pretendoi se luftëtarët e tij hodhën raketa drejt disa komuniteteve izraelite pranë Gazës.

Një breshëri prej rreth 20 raketash nuk shkaktoi viktima, ka bërë të ditur ushtria izraelite. /Telegrafi/

Exit mobile version