Site icon Telegrafi

Izraeli u kërkon ‘të gjithëve në qytetin e Gazës’ të largohen

Ushtria izraelite u ka thënë të gjithë banorëve të qytetit të Gazës që të evakuohen nga jugu në Rripin qendror të Gazës, mes operacioneve të intensifikuara në veri.

Fletushkat e lëshuara nga aeroplani udhëzojnë “të gjithë në qytetin e Gazës” të largohen nga ajo që përshkruhet si “zonë e rrezikshme luftarake”, përmes rrugëve të sigurta të përcaktuara – të shënuara si dy rrugë që të çojnë në strehimore në Deir al-Balah dhe al-Zawaida.

OKB-ja ka thënë se është thellësisht e shqetësuar për urdhrat e evakuimit që janë dhënë. Është hera e dytë që nga fillimi i luftës që qytetit të Gazës në tërësi i kërkohet të evakuohet.

Gjatë dy javëve të fundit, forcat izraelite kanë rihyrë në disa qarqe ku ushtria beson se Hamasi dhe luftëtarët e Xhihadit Islamik palestinez janë rigrupuar që nga fillimi i vitit.

Hamasi ka thënë se aktiviteti i ri i Izraelit në qytet po kërcënon të prishë negociatat për një armëpushim të mundshëm dhe marrëveshje për lirimin e pengjeve, e cila rifilloi të mërkurën në Katar.

Në bisedime marrin pjesë shefat e inteligjencës së Egjiptit, SHBA-së dhe Izraelit, si dhe kryeministri i Katarit.

Zyrtari i lartë i Hamasit, Hossam Badran, i tha AFP se Izraeli “po përpiqet të ushtrojë presion mbi negociatat duke intensifikuar operacionet e bombardimeve, zhvendosjen dhe kryerjen e masakrave”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu theksoi angazhimin e Izraelit për një marrëveshje, për sa kohë që “vijat e kuqe të Izraelit ruhen”. /Telegrafi/

 

Exit mobile version