Zyrtarë të zbulimit izraelit, duke përgjuar hakerë të lidhur me qeverinë ruse, zbuluan se ata përdornin programin anti-virus, “Kaspersky Lab”, që përdoret nga 400 milionë njerëz në mbarë botën, përfshirë agjenci qeveritare amerikane, për të hyrë dhe vjedhur informacine në rrjetet kompjuterike.
Agjentë izraelitë që kishin arritur të siguronin qasje tek rrjeti “Kaspersky” para rreth dy vjetësh, paralajmëruan kolegët e tyre amerikanë rreth kësaj ndërhyrjeje ruse, sipas një njoftimi të gazetës “New York Times” që raportoi e para për këtë ngjarje të martën.
Kjo bëri që muajin e kaluar, qeveria amerikane të lëshonte një urdhër për heqjen e progamit anti-virus “Kaspersky”nga gjithë kompjuterat qeveritarë.
Gazeta tjetër “Washington Post”, njoftonte të martën se zyrtarët izraelitë kishin gjetur në rrjetin “Kaspersky” mjete hakerimi, origjina e të cilave mund të ishte vetëm nga Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Sigurinë Kombëtare (NSA), njofton Reuters.
Pas një hetimi, NSA zbuloi se këto mjete ishin në dispozicion të qeverisë së Rusisë, sipas “Washington Post-it”.
Në fund të muajit të kaluar, Këshilli Kombëtar Amerikan i Zbulimit, përfundoi një raport sekret, që e ndau me vendet aleate të NATO-s, i cili arrin në përfundimin se shërbimi rus i zbulimit (FSB) duket se ka patur qasje tek lista e klientëve të firmës “Kaspersky” si dhe tek kodi i programimit, sipas gazetës.
Kjo qasje, thuhet në raport, të jep mundësinë të kryesh sulme kibernetike kundër qeverisë amerikane, si dhe rrjeteve të tjera informatike industriale ose tregtare.
Gazeta “New York Times”, nga ana e saj, duke iu referuar disa zyrtarëve të informuar mbi këtë çështje, njoftonte se, rusët kishin vjedhur informacione sekrete nga kompjuteri i një punonjësi të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, NSA, që i kishte ruajtur ato në mënyrë të papërshtatshme në kompjuterin e tij personal, i cili përdorte programin anti-virus “Kaspersky”.
Ende nuk dihet publikisht se çfarë sekretesh të tjera amerikane mund të kenë vjedhur hakerat rusë duke e kthyer programin anti-virus “Kaspersky” në një lloj programi-kërkimi si Google, për të gjetur informacione sekrete, sipas gazetës “New York Times”.
Gazeta njofton se Agjencia e Sigurisë Kombëtare, NSA, dhe Shtëpia e Bardhë nuk kanë pranuar të bëjnë komente, po ashtu as Ambasada e Izraelit ose ajo e Rusisë nuk kanë pranuar të flasin.
Ambasada e Rusisë në Uashington, muajin e kaluar e quajti “për të ardhur keq” vendimin për ndalimin e programit anti-virus“Kaspersky” nga qeveria amerikane, duke shtuar se ky vendim, do të vononte riparimin e marrëdhënieve dy-palëshe.
Firma “Kaspersky Lab” mohoi të ketë patur dijeni, ose të ishte përfshirë në hakerimin rus. Përmes një deklarate kompania shprehej se “Kaspersky Lab kurrë nuk ka ndihmuar, as do të ndihmojë ndonjë qeveri në përpjekjet për spiunazh kibernetik”.
Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se ishte presidenti rus Vladimir Putin ai që dha urdhër për një operacion dixhital shumë-planësh për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar, për të ndihmuar kandidatin Donald Trump të fitonte. Moska e mohon këtë akuzë.