Telegrafi

Izraeli thotë se ka zbuluar një tunel të thellë “që vjen” nga Gaza

Ushtria izraelite tha të martën se militantët në Rripin e Gazës hapën një tunel të thellë dhjetëra metra që kaloi rrethimin e sigurisë rreth territorit, para se të zbulohej nga sensorët nëntokësorë.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, nënkoloneli Jonathan Conricus, një zëdhënës ushtarak, tha se tuneli kaloi në territorin izraelit por nuk përbënte “asnjë kërcënim” për komunitetet izraelite aty pranë dhe se nuk kishte ende një dalje në anën tjetër.

Ai tha se trupat do të “neutralizojnë” tunelin në ditët në vijim.

Siç thuhet më tej, Izraeli ka zbuluar rreth 20 tunele të tilla që nga lufta e vitit 2014 me grupin militant islamik Hamas.

Militantët palestinezë kanë kryer sulme vdekjeprurëse përmes tuneleve të tilla gjatë luftës.

Conricus tha se tuneli u zbulua nga sensorë të montuar në një pengesë nëntokësore që po ndërtohej përgjatë kufirit 55 kilometra dhe është tuneli i parë i tillë që zbulohet në më shumë se një vit.

Ai tha se nuk ishte ende e qartë nëse tuneli ishte ndërtuar nga Hamas apo një grup tjetër militant, por që do të kërkonte një investim të konsiderueshëm financiar.

Ndryshe, Izraeli e konsideron Hamasin përgjegjës për të gjitha sulmet që vijnë nga Gaza. /Telegrafi/