Site icon Telegrafi

Izraeli thotë se ka eliminuar njërin nga komandantët më të lartë të Hezbollahut

Gjatë sulmeve të fundit në Libanin e Jugut, Izraeli thotë se ka eliminuar njërin nga komandantët më të lartë të Hezbollahut.

Bëhet e ditur se ushtria izraelite ka sulmuar fshatin al Sultaniyah ku edhe vranë komandantin Ali Ahmed Hassin nga njësitë elitare Radwan të Hezbollahut.

Sipas Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Ali Ahmed Hassin mbante një gradë të barabartë me një komandant brigade dhe ishte i akuzuar për sulme në Ramim të Izraelit, zonë kjo që shpesh është sulmuar nga raketat, dronët dhe dronët e ngarkuar me eksploziv.

“Si pjesë e rolit të tij, ai ishte përgjegjës për planifikimin dhe ekzekutimin e sulmeve terroriste në zonën Ramim Ridge kundër frontit izraelit”, tha IDF.

Hassin ishte komandanti i pestë i Hezbollahut që u vra nga Izraeli në mes të luftës së vazhdueshme në Rripin e Gazës.

Ushtria izraelite ka njoftuar se më shumë se 30 komandantë të grupit militant janë vrarë në gjashtë muajt e fundit, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

Grupi ka njoftuar për vdekjen dhe funeralin e liderit të tyre, por pa detaje rreth rolit të tij dhe mënyrës se si ai vdiq.

Madje, ata as nuk iu referuan si komandant.

Ndryshe, Hezbollahu me bazë në Iran, konsiderohet organizatë terroriste nga shumica e vendeve perëndimore.

Kjo organizatë gjithë kohën bën thirrje për shkatërrimin e “regjimit sionist”.

Prej kohësh, Hezbollahu është rreshtuar krah Hamasit dhe Xhihadit Islamik dhe është përplasur shpesh me forcat IDF të Izraelit.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka paralajmëruar se Bejruti do të shndërrohet në një “tjetër Gazë” nëse Hezbollahu fillon një luftë gjithëpërfshirëse. /Telegrafi/

Exit mobile version