Site icon Telegrafi

Izraeli do të sjellë 65,000 punëtorë të huaj për të zëvendësuar palestinezët

Izraeli do të sjellë 65,000 punëtorë ndërtimi nga India, Sri Lanka dhe Uzbekistani për të zëvendësuar punëtorët palestinezë të pushuar nga puna pas sulmeve të 7 tetorit.

Pothuajse gjysma e kantiereve të ndërtimit të vendit u mbyllën pasi 72,000 punëtorë ndërtimi palestinezë u dëbuan nga vendi, përcjell Telegrafi.

Rreth 20,000 punëtorë të huaj mbetën, por pjesa më e madhe e punimeve të ndërtimit të vendit janë ndalur.

Një zëdhënës i ministrisë së strehimit tha se grupe të reja punëtorësh të huaj priten të mbërrijnë në javët në vijim pasi qeveria kërkon të shmangë mungesën e furnizimit që do të rriste edhe më tej çmimet e banesave.

Ndërkohë kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu është deklaruar edhe një herë për një marrëveshje të mundshme për lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi.

Kjo deklaratë erdhi pasi marrëveshja e pengjeve shihet si rrezik për ndarjen e kabinetit të krahut të djathtë të vendit.

“Përpjekjet për lirimin e pengjeve po vazhdojnë në çdo kohë. Siç e theksova edhe në Kabinetin e Sigurisë, ne nuk do të pajtohemi me çdo marrëveshje për asnjë çmim”, tha Netanyahu.

Ndryshe, javën e kaluar ministri i Sigurisë Kombëtare nga ekstremi i djathtë, Itamar Ben-Gvir, tha se “një marrëveshje e pamatur është e barabartë me shpërbërjen e qeverisë”, shkruan skynews.

Gjithashtu, sipas Ben-Gvir përgjigja e SHBA-së do të ishte “krejtësisht e ndryshme” nëse Donald Trump do të ishte në pushtet, duke treguar kështu hapur mbështetjen për ish-presidentin Trump.

Këto komente u hodhën poshtë nga Netanyahu i cili tha se “Unë nuk kam nevojë për asnjë ndihmë në marrëdhëniet me SHBA-në dhe komunitetin ndërkombëtar”. /Telegrafi/

Exit mobile version