Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka premtuar se Irani nuk do të lejohet të zhvillojë armë bërthamore, pavarësisht nëse Teherani arrin apo jo një marrëveshje me presidentin Joe Biden për të “ringjallur” marrëveshjen bërthamore.
Duke folur në një shërbim përkujtimor të martën, Netanyahu – i cili aktualisht po përballet me akuza korrupsioni dhe po përgatitet për zgjedhjet e katërta të përgjithshme të Izraelit në dy vjet – tha se Izraeli ishte i painteresuar për “ringjalljen” e propozuar të Biden të JCPOA.
Sipas Newsweek, përcjell Telegrafi, Izraeli ka qenë gjithmonë i vendosur kundër marrëveshjes dhe Netanyahu kishte një ndikim të madh në vendimin e ish-presidentit Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja në vitin 2018.
Kjo pasi që Netanyahu dhe udhëheqësit e tjerë izraelitë besojnë se Teheranit nuk mund t’i besohet se i përmbahet ndonjë marrëveshjeje.
Ndërkohë administrata e Biden ka thënë se do të konsultohet me aleatët, përfshirë Izraelin, mbi strategjinë e saj për Iranin, megjithëse mbetet e përkushtuar ndaj JCPOA.
Siç vë në pah mediumi në fjalë, vëzhguesit kanë spekuluar se Izraeli mund të marrë masa të njëanshme për të minuar marrëveshjen, për shembull, sulme ushtarake ose sulme kibernetike kundër objekteve bërthamore iraniane.
Ndryshe, në të kaluarën Izraeli ka sulmuar vendet bërthamore në Siri, Irak dhe Iran, shkruan Newsweek duke shtuar se operativë të Izraelit gjithashtu dyshohet se kanë vrarë shumë shkencëtarë bërthamorë iranianë gjatë dekadës së fundit, duke përfshirë studiuesin e lartë Mohsen Fakhrizadeh në nëntor.
“Izraeli nuk shpreson në një marrëveshje me një regjim ekstremist”, tha Netanyahu për Iranin.
“Ne tashmë pamë se çfarë vlejnë këto marrëveshje… me Korenë e Veriut”, shtoi ai, duke iu referuar përpjekjeve të dështuara amerikane për të parandaluar Pyongyang të krijonte një arsenal bërthamor.
“Me ose pa një marrëveshje”, ka theksuar Netanyahu, “ne do të bëjmë gjithçka në mënyrë që [Irani të mos jetë] i armatosur me armë bërthamore”. /Telegrafi/