Telegrafi

Izraeli së shpejti nis ofensivën në Rafah? Hap tender për blerjen e 40 mijë tendave për evakuuimin e civilëve

Një zyrtar izraelit ka njoftuar se Izraeli do të blejë 40 mijë tenda për t’u përgatitur për evakuimin e qindra mijërave palestinezëve nga qyteti jugor i Gazës, Rafah.

Ky veprim vjen pasi kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka deklaruar se është caktuar data për pushtimin e Rafahut që ndodhet në kufi me Egjiptin.

Ndryshe, jugu i Gazës besohet të jetë bastioni më i madh i Hamasit dhe aty janë të strehuar rreth 1.5 milion palestinezë apo mbi gjysma e popullsisë, shkruan the Guardian, përcjell Telegrafi.

Shumë vende perëndimore, përfshirë SHBA-në, e kanë kundërshtuar pushtimin e asaj zone, pasi çdo sulm atje ka të ngjarë të shkaktojë më shumë viktima civile dhe të përkeqësojë krizën humanitare në Gazë.

Gjithashtu, qyteti i Rafahut është edhe qendër logjistike për shpërndarjen e ndihmave në vend.

Por, Izraeli tha se ka një plan për të evakuuar civilët përpara ofensivës së tij, andaj bëhet e ditur se Ministria e Mbrojtjes izraelite ka publikuar një tender ku kërkon një furnizues me tenda.

Në kushte anonimiteti, zyrtari izraelit ka konfirmuar se tendat janë pjesë e përgatitjeve të Rafahut.

Ndryshe, së fundmi Hamasi ka refuzuar marrëveshjen e propozuar nga Izraeli për një armëpushim me arsyen se nuk i plotëson kërkesat e tyre. /Telegrafi/