Izraeli nisi dhjetëra sulme ajrore në Gaza dhe militantët e Hamasit qëlluan me breshëri raketash në qytete izraelite ndërsa luftimet u përhapën në një javë të dytë të hënën, mes thirrjeve ndërkombëtare për një armëpushim.
Por, siç vlerëson Reuters, përcjell Telegrafi, nuk kishte asnjë shenjë për ndonjë fund të afërt të armiqësive më serioze në vite midis Izraelit dhe Hamasit.
Rrugët, ndërtesat e sigurisë, kampet e stërvitjes së militantëve dhe shtëpitë u bombarduan në sulmet e Izraelit që dukej se ishin përqendruar në Gaza, thanë dëshmitarët.
Ushtria izraelite tha se pasi u qëlluan me raketa në qytetet izraelite të Beersheba dhe Ashkelon, avionët e saj luftarakë goditën nëntë vendbanime që u përkisnin komandantëve të rangut të lartë të Hamasit.
Disa nga shtëpitë, u tha më tej, u përdorën për ruajtjen e armëve.
Nuk pati njoftime të menjëhershme për viktima në të dy anët e kufirit.
Shqetësimet nga vende të ndryshme në botë tashmë janë thelluar pas një sulmi ajror izraelit në Gaza që shkatërroi disa shtëpi të dielën dhe për të cilin zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se u vranë 42 persona, përfshirë 10 fëmijë, dhe sulmeve të vazhdueshme me raketa në qytetet izraelite.
Duke përsëritur thirrjet e Uashingtonit për qetësi, Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Antony Blinken shkroi në Twitter: “Të gjitha palët duhet të deeskalojnë tensionet – dhuna duhet të përfundojë menjëherë”, pasi ai foli me ministrin e jashtëm të Egjiptit për dhunën e vazhdueshme në Izrael, Gaza dhe Bregun Perëndimor.
Në një takim të Këshillit të Sigurimit të KB të dielën, Shtetet e Bashkuara thanë se ua kanë bërë të qartë Izraelit, palestinezëve dhe të tjerëve se janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje “nëse palët kërkojnë një armëpushim”.
Ndërkohë kryeministri Benjamin Netanyahu tha se fushata e Izraelit në Gaza po vazhdonte me “forcë të plotë” dhe se duhej të arrihej parandalimi për të parandaluar konfliktin në të ardhmen me Hamasin. /Telegrafi/