Site icon Telegrafi

Izraeli po e ndërton një rrugë që e ndanë Gazën në dy pjesë

Një rrugë që po ndërtohet nga ushtria izraelite, që po e ndan në dy pjesë Gazën, ka arritur në bregdetin e Mesdheut, tregojnë imazhet satelitore të siguruara nga CNN. Është pjesë e një plani sigurie për të kontrolluar territorin për muaj dhe ndoshta vite në vijim, kanë thënë zyrtarët izraelitë.

Një imazh satelitor i 6 marsit zbulon se rruga lindje-perëndim, e cila ka qenë në ndërtim e sipër për javë të tëra, tani shtrihet nga zona kufitare Gaza-Izraeli në të gjithë brezin afërsisht 6.5 kilometra të gjerë (rreth 4 milje të gjerë) duke ndarë Gazën veriore, duke përfshirë qytetin e Gazës, nga jugu i enklavës.

Rreth 2 kilometra (1.2 milje) përfshin një rrugë ekzistuese, ndërsa pjesa tjetër është e re, sipas analizës së CNN-it.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) i thanë CNN-it se po përdornin rrugën për të “krijuar (një) bazë operacionale në zonë” dhe për të lejuar “kalimin e forcave si dhe të pajisjeve logjistike”.

Kur u pyetën për përfundimin e rrugës, IDF tha se rruga ekzistonte para luftës dhe ishte duke u “rinovuar”, për shkak të automjeteve të blinduara që “e dëmtonin atë”. Ai shtoi se nuk “nuk ka fillim dhe mbarim”.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu shpalosi një plan në kabinetin e tij të sigurisë më 23 shkurt për një të ardhme pas Hamasit për Gazën, duke përfshirë “çmilitarizimin e plotë” të enklavës dhe rishikimin e sigurisë, administratës civile dhe sistemit të arsimit.

Palestinezët që jetojnë në Gaza kanë frikë se planet e sigurisë së Izraelit të pasluftës do të kufizojnë më tej lirinë e tyre të lëvizjes, duke kujtuar ditët e pushtimit izraelit para vitit 2005, kur u vendosën postblloqe midis fshatrave fqinjë dhe u ndërtuan rrugë ekskluzive anashkaluese për të lidhur vendbanimet izraelite me njëra-tjetrën. /Telegrafi/

Exit mobile version