Telegrafi

Izraeli pëson gjithmonë, ndeshja e katërt sjell fat për kuqezinjtë

Shqipëria është favorite në letër për ta fituar ndeshjen e ardhshme ndaj Izraelit, por nuk është çudi që një sfidë e tillë të rezultojë befasuese.

Nëse do të nisemi nga statistikat dhe nga ajo që ka ndodhur në dy eliminatoret e fundit nën drejtimin e Gianni De Biasit, duhet të rrimë të qetë sepse Shqipëria di ta fitojë gjithmonë ndeshjen e katërt në grup.

Pikërisht, kjo ndaj Izraelit është sfida e katërt, pasi më parë kuqezinjtë fituan 2 (Maqedoni, Lihtenshtejn) dhe humbën ndaj Spanjës. Në dy eliminatoret e mëparshme, kuqezinjtë kanë fituar kundër Sllovenisë (1-0 me gol të Roshit, ndeshja e vlefshme për “Brazil 2014”) dhe kundër Armenisë (2-1 me gola të Mavrajt dhe Gashit, ndeshja e vlefshme për “Francë 2016”).

Golat

Një tjetër e dhënë që të bën të mendosh se Shqipëria mund të fitojë ndaj Izraelit janë golat që këta të fundit kanë pësuar. Në shtatë ndeshjet e fundit, gjithmonë e kanë nxjerrë topin nga rrjeta dhe sulmuesit Balaj me shokë nuk duhet të tremben për të thyer mbrojtjen izraelite.

Megjithatë, ata kanë arritur të shënojnë në 6 sfida. Këto të dhëna tregojnë që rivali i Shqipërisë luan shumë hapur dhe është i paparashikueshëm. Ata nuk janë shumë të disiplinuar taktikisht dhe mund të jenë një kundërshtar i rrezikshëm për kuqezinjtë. Në letër, Kombëtarja shqiptare është favorite për ta fituar këtë sfidë, por kjo ndeshje parashikohet e vështirë, transmeton panorama sport.

Statistikat

Në dhjetë ndeshjet e luajtura në eliminatoret e Europianit, Izraeli arriti 4 fitore, 1 barazim dhe 5 humbje. Shënoi 16 gola dhe pësoi 14, duke grumbulluar 13 pikë. Minutazhi ku izraelitët shënojnë më shumë është 30′-45′ (5 gola) dhe 75′-90′ (4 gola). Ndërkohë, Shqipëria në 8 ndeshjet e luajtura në eliminatoret e Europianit arriti 4 fitore, 2 barazime dhe 2 humbje, duke shënuar 10 gola dhe pësuar vetëm 5 për të grumbulluar 14 pikë.

Kuqezinjtë në këto eliminatore siguruan të drejtën për të luajtur në Europianin e Francës. Kuqezinjtë shënojnë më shumë gola në harkun kohor 75′-90′ (3 të tillë), ndërsa pjesa tjetër e golave është e shpërndarë në mënyrë të njëtrajtshme gjatë gjithë ndeshjes. Statistikat premtojnë një ndeshje interesante dhe të luftuar, ndërkohë që kompanitë e basteve mendojnë se Shqipëria është favorite për të marrë 3 pikët, duke pasur një koeficient 2.2.