Nga: Richard Dannatt, gjeneral, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të Mbretërisë së Bashkuar / The Telegraph (titulli origjinal: Israel cannot afford its own Iraq War)
Përkthimi: Telegrafi.com
Nuk duhet të diskutohet dhe duhet të dënohet me zërat më të ashpër sulmi terrorist i Hamasit ndaj Izraelit. Megjithatë, reagimi izraelit është ai që do të përcaktojë sigurinë e ardhshme jo vetëm të Izraelit dhe të Lindjes së Mesme e më gjerë, por edhe marrëdhëniet ndërkombëtare në mbarë botën. Gjerësisht është dhënë mendimi se sulmi i Hamasit ishte 11 shtatori i Izraelit, por ky mendim që tash duhet të zbërthehet.
Po, 11 shtatori e ndryshoi mjedisin e sigurisë të Perëndimit por, shumë shpejt, reagimi i gabuar e çoi ShBA-në në Afganistan – përpara se të bënte gabimin e përmasave biblike duke e ndryshuar fokusin, me analizat e cekëta, për ndërhyrje në Irak. Kjo, nga ana tjetër, ishte zanafilla e makthit të ISIS-it.
Paralelisht, fushata e mëvonshme dhe e më e fundit e NATO-s dhe e ShBA-së në Afganistan, rezultoi në dështimin strategjik që kulmoi me tërheqjen e tmerrshme nga Kabuli – në gushtin e vitit 2021 – dhe në bindjen që shtyri Vladimir Putinin të besojë se Perëndimi është pa lider. Gjashtë muaj më vonë, kjo atë e nxiti të sulmojë Ukrainën. Reagimet ndaj ngjarjeve dramatike kanë pasoja të thella dhe ato ngjarje kanë nevojë për analizë më të kujdesshme – përpara se të fillojnë reagimet.
Në çdo aspekt, sulmi i Hamasit paraqiste një dështim të tmerrshëm të inteligjencës dhe të sigurisë nga ana e izraelitëve. Ata kanë motiv krejtësisht të arsyeshëm për të rivendosur sigurinë e shtetit dhe besimin te qytetarët se mund të jetojnë të sigurt. Por, a është inkursioni tjetër tokësor në Gazë, përgjigja e duhur? Cili është interesi më i mirë afatgjatë i Izraelit? Sigurisht, është pranimi ndërkombëtar se Izraeli, si një shtet sovran, ka të drejtë të ekzistojë dhe se populli i tij duhet të jetë në gjendje të jetojë i lirë prej frikës së vazhdueshme të sulmeve të reja.
Nëse ky është supozimi i saktë, atëherë si duhet të ndiqet ai objektiv? Dhe, sigurisht, si është puna me të drejtat e popullit palestinez?
Duke pasur parasysh natyrën e rajonit të Lindjes së Mesme, sulmi tokësor i izraelit, i paraprirë nga sulmet e gjera ajrore dhe të artilerisë, pothuajse në mënyrë të pashmangshme do të rezultojnë jo vetëm në gjuetinë dhe vrasjen e udhëheqësve dhe të terroristëve të Hamasit, por edhe me vdekjen e një numri të madh të civilëve palestinezë dhe me shkatërrimin e një pjese të madhe të infrastrukturës tashmë të varfër të Gazës. Për më tepër, nëse ky thjesht nuk do të jetë sulm i shkurtër dhe i dhunshëm ndëshkues, atëherë Izraeli po e dënon veten me një fushatë të gjatë të reagimeve në një mjedis shumë armiqësor.
Izraeli mund të presë të humbasë shumë prej ushtarëve të vet. Cilindo drejtim operacional të veprimit që Forcat e Mbrojtjes izraelite mund ta zgjedhin, optika e gjakderdhjes rezultuese do të shkojë në favor të atyre që në radhë të parë financuan Hamasin – tek udhëheqja në Teheran.
Irani me shqetësim të shtuar ka parë ngrohjen e marrëdhënieve midis Izraelit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe. Diplomacia, tregtia dhe turizmi kishin filluar të lulëzojnë në rajon, në mënyrën që Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i ShBA-së, Jake Sullivan, disa javë më parë – në një konferencë sigurie – tha se rreziku i konfliktit në Lindjen e Mesme atë nuk e lë të zgjuar gjatë natës. Irani ishte i vendosur të ndryshojë modelet e gjumit të Sulivanit dhe strategjia ka qenë të inkurajojë sulmin e Hamasit, me shpresën për një reagim masiv të Izraelit. Një veprim i tillë mund ta zhysë Lindjen e Mesme përsëri në një humnerë kaosi, të cilën Irani më pas do të mundet ta shfrytëzojë në avantazhin e vet.
Në qendër të promovimit të kaosit do të ishte ndërhyrja e Hizbollahut nga Libani jugor, duke goditur jo vetëm veriun e Izraelit, por gjerë-e-gjatë Izraelin – duke pasur parasysh arsenalin e raketave dhe predhave me rreze të gjatë të veprimi të Hizbollahut, që shumica janë furnizime nga Irani.
Kjo atëherë është dilema kryesore për Izraelin dhe për mbështetësit e tij ndërkombëtarë, ndër të cilët vend qendror zë ShBA-ja. Izraeli nuk ka zgjidhje tjetër veçse të reagojë ndaj dhunës së sulmit ndaj territorit të saj dhe qytetarëve të saj, por reagimi masiv i njëanshëm do ta shtyjë atë të bie në lojën e Teheranit. Prandaj, reagimi i tij duhet të ndërlidhet me aleatët dhe me partnerët e saj dhe të koordinohet me kujdes. Ndërhyrja tokësore ndoshta është e pashmangshme, por më parë duhet të fokusohet në shpëtimin e pengjeve izraelite dhe në ndjekjen e terroristëve të Hamasit, dhe jo në sulm ndaj popullit palestinez të Gazës.
Në mënyrë të pashmangshme do të ketë shkatërrim të infrastrukturës lokale, por Izraeli dhe ShBA-ja menjëherë duhet të zotohen për fondet e rindërtimit – jo për Hamasin, por për përmirësimin e jetës së popullit palestinez në Gazë. Irani duhet të gjykohet për sponsorizimin e Hamasit dhe presionet e ripërtërira duhet t’i vendosen atij shteti mashtrues, dhe sigurisht që duhet arritur pajtimi për përpjekje të reja për të kufizuar ambicien e saj për armët bërthamore.
Mes tmerrit të kësaj tragjedie, nuk ka përgjigje të lehta, por Izraeli duhet të vlerësojë nevojën për të ruajtur nivelin e lartë moral. Sy për sy është një gjë e kuptueshme, por në botën e sotme me nuanca, kërkimi i paqes është shumë më i ndërlikuar. /Telegrafi/