Izraeli ka lëshuar urdhra të reja evakuimi për Deir Al-Balah në Rripin qendror të Gazës, duke detyruar më shumë familje të largohen nga zona.
Izraeli ka lëshuar disa urdhra evakuimi në të gjithë Gazën në ditët e fundit – më së shumti që nga fillimi i luftës 10-mujore – duke thënë se forcat e tij synonin të vepronin kundër Hamasit dhe grupeve të tjera në zona, shkruan Sky News, përcjell Telegrafi.
Komuna e Deir Al-Balah tha se urdhrat e evakuimit të Izraelit deri më tani kanë zhvendosur 250,000 njerëz.
Urdhrat detyruan shumë familje dhe pacientë të largohen nga Spitali Al-Aksa, objekti kryesor mjekësor në Deir Al-Balah, ku janë strehuar qindra mijëra njerëz.
Një grua tha se ajo dhe fëmijët e saj ishin zhvendosur 11 herë.
Sawasn Abu Afesh i tha Reuters se ajo “nuk ka para për transport” dhe do të duhej ta bënte udhëtimin në këmbë, ndërsa tre nga fëmijët e saj kishin mbetur pas.
“Nuk kemi idenë se ku të shkojmë”, ka thënë ajo.
Ndërkohë, ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi ka thënë se rreth 40,435 palestinezë janë vrarë në ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza që nga 7 tetori.
Ajo shtoi se 93,534 të tjerë janë lënduar gjatë asaj kohe.
Ministria nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në numërimin e saj. /Telegrafi/