Ushtria izraelite ka urdhëruar më shumë evakuime në Gazën jugore, pas një sulmi ajror vdekjeprurës në shkollë në veri, i cili vrau mbi 100 palestinezë, sipas autoriteteve lokale shëndetësore.
Izraeli pretendoi se kishte shënjestruar një post komandimi militant dhe kishte vrarë 19 luftëtarë.
Bëhet e ditur se qeveria izraelite ka urdhëruar vazhdimisht evakuime masive pasi trupat e tij janë kthyer në zonat e shkatërruara rëndë, ku ata kishin luftuar më parë me militantët palestinezë.
Shumica dërrmuese e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh është zhvendosur nga lufta 10-mujore.
Qindra mijëra janë grumbulluar në kampe me pak shërbime publike ose kanë kërkuar strehim në shkolla si ajo e goditur së fundmi, shkruan euronews, përcjell Telegrafi.
Por, urdhrat e fundit të evakuimit vlejnë për zonat në Khan Younis, duke përfshirë një pjesë të një zone humanitare të shpallur nga Izraeli, nga e cila ushtria tha se ishin hedhur raketa.
Izraeli akuzon Hamasin dhe militantët e tjerë se fshihen mes civilëve dhe nisin sulme nga zonat e banuara.
Khan Younis, qyteti i dytë më i madh i Gazës, pësoi një shkatërrim të gjerë gjatë një ofensive ajrore dhe tokësore në fillim të këtij viti.
Dhjetëra mijëra u larguan përsëri javën e kaluar pas një urdhri të mëparshëm evakuimi.
Qindra familje që mbanin gjërat e tyre në krahë lanë shtëpitë dhe strehimoret e tyre herët, duke kërkuar strehim.
Ndërkohë, shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, ka thënë se është tmerruar nga pamjet e shkollës në Gazë të goditur nga sulmi izraelit.
“Nuk ka asnjë justifikim për këto masakra”, tha Borrell.
Diplomati evropian deklaroi se BE-ja mbështet plotësisht thirrjen e liderëve nga SHBA-ja, Egjipti dhe Katari për të përfunduar bisedimet e armëpushimit dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve. /Telegrafi/