Qeveria izraelite nuk pritet ta miratojë një marrëveshje për armëpushim me Hamasin sipas kushteve të grupit militant, ka thënë një burim i lidhur me zyrën e Benjamin Netanyahut.
Hamasi ka propozuar ndalimin e luftimeve dhe tërheqjen e trupave izraelite nga Gaza në përgjigje të një oferte të dërguar javën e kaluar nga ndërmjetësit e Katarit dhe Egjiptit.
Por, duket se nuk ka gjasa të miratohet nga qeveria izraelite, raporton skynews.
“Fakti që Hamasi po kërkon armëpushim dhe tërheqjen e forcave izraelite, kjo është diçka me të cilën Izraeli kurrë nuk do të pajtohet”, tha një burim i afërt me Netanyahut, duke folur në kushte anonimiteti.
Kërkesat e Hamasit dhe refuzimi i dukshëm i Izraelit injektojnë pesimizëm të ri në negociatat për lirimin e pengjeve që ishin nisur nga shefat e inteligjencës dhe politikanët kryesorë nga katër vende në Paris.
Qeveria e Izraelit do të diskutojë reagimin e Hamasit ndaj propozimit sot dhe do të zhvillojë diskutime të mëtejshme në kabinetin e luftës dhe të sigurisë, tha burimi.
Izraeli ka thënë më parë se nuk do të tërheqë trupat nga Gaza derisa të shkatërrohet Hamasi. /Telegrafi/