Ushtria izraelite thotë se ka konfirmuar se shefi ushtarak i Hamasit, Mohammed Deif u vra në një sulm ajror në Rripin e Gazës muajin e kaluar.
Deif u shënjestrua në një sulm në një kompleks në zonën Khan Younis më 13 korrik.
Një zyrtar ushtarak izraelit i tha CNN se ata morën informata të reja orët e fundit për të konfirmuar se Deif ishte vrarë, gati tre javë pasi kreu sulmin në Khan Younis.
Zyrtari nuk pranoi të specifikonte natyrën e atyre informatave.
Në anën tjetër, Hamasi ende nuk e ka konfirmuar vdekjen e tij.
Dhe lajmi për vrasjen e tij vjen një ditë pasi lideri politik i grupit, Ismail Haniyeh, u vra në Teheran.
Pas një vlerësimi të inteligjencës, një zëdhënës i Forcave të Mbrojtjes të Izraelit tha se ai u vra kur avionët luftarakë goditën një zonë të qytetit jugor të Khan Younis, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
“Bashkë me ta u eliminuan edhe terroristë të tjerë”, thuhet në deklaratë.
Deif besohet të ketë qenë një nga organizatorët e sulmit të Hamasit të 7 tetorit në Izraelin jugor, i cili shkaktoi luftën në Gaza, tashmë në ditën e saj të 300-të.
Hamasi nuk komentoi menjëherë njoftimin izraelit, i cili erdhi ndërsa turmat u mblodhën në kryeqytetin e Iranit për kortezhin e varrimit të liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh. /Telegrafi/