Kabineti i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu ka votuar në mënyrë unanime që të mbyllen zyrat e televizionit Al Jazeera në Izrael, thuhet në kumtesën e qeverisë izraelite.
Kabineti izraelit votoi sot pasi parlamenti miratoi ligjin që lejon mbylljen e përkohshme të transmetuesve të huaj në Izrael, dhe që konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare gjatë luftës disa muajshe në Gaza, transmeton Telegrafi.
Netanyahu njoftoi për vendimin në rrjetin social X: “Qeveria të cilën e udhëheq unë ka votuar në mënyrë unanime: Televizioni Al Jazeera do të mbyllet në Izrael”.
Në një postim tjetër nga ministri izraelit i Komunikimit, Shlomo Karhi ka nënshkruar urdhrin kundër Al Jazeera, që do të hyjë menjëherë në fuqi.
Ai gjithashtu urdhëroi sekuestrimin e pajisjeve të transmetuesit Al Jazeera, përfshirë kamerat, mikrofonat, serverët dhe laptopët. /Telegrafi/