Izraeli ka krijuar një komision për të shqyrtuar pretendimet se programi i diskutueshëm i mbikëqyrjes së telefonit Pegasus i NSO Group ishte keqpërdorur mes një skandali që ka trazuar qeveritë në të gjithë botën.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, njoftimi të enjten nga kreu i Komitetit të Punëve të Jashtme dhe të Mbrojtjes të parlamentit izraelit erdhi mes zbulimeve se programi i firmës izraelite duket se është përdorur nga qeveritë në mbikëqyrjen e krerëve të shteteve, figurave të opozitës, aktivistëve dhe gazetarëve.
Emrat e të tyre ishin ndër rreth 50,000 të shënjestruarit e mundshëm në një listë të zbuluar nga mediat botërore.
Këto zbulime nxitën thirrje për përgjegjësi dhe kontroll të shtuar në shitjen ndërkombëtare të programit teknologjik.
Pegasus mund të hakojë në celularët pa e ditur një përdorues, duke u mundësuar klientëve të lexojnë çdo mesazh, të ndjekin vendndodhjen e një përdoruesi dhe të aktivizojnë kamerën dhe mikrofonin e telefonit.
Ligjvënësi izraelit Ram Ben Barak, ish-nënkryetari i agjencisë së spiunimit Mossad-it të Izraelit, tha për Radion e Ushtrisë, “Është caktuar një komision rishikimi të përbërë nga një numër grupesh” për të hetuar pretendimet.
“Kur ata të përfundojnë rishikimin e tyre, ne do të kërkojmë të shohim rezultatet dhe të vlerësojmë nëse duhet të bëjmë korrigjime”, tha ai. /Telegrafi/