Telegrafi

Izraeli dhe Xhihadi Islamik ranë dakord për një armëpushim në Gaza

Izraeli dhe lëvizja militante e Xhihadit Islamik në Gaza kanë rënë dakord për një armëpushim që do të hyjë në fuqi në orën 22:00 me orën lokale, thanë zyrtarët palestinezë, duke sinjalizuar fundin e episodit më të keq të zjarrit ndërkufitar që nga lufta dhjetë ditore e vitit 2021.

Egjipti, i cili ndërmjetësoi armëpushimin, u bëri thirrje të gjitha palëve që të respektojnë marrëveshjen, njoftoi aljazeera.

Lexo po ashtu Vriten dy palestinezë në një operacion izraelit

“Në dritën e marrëveshjes mes palëve palestineze dhe izraelite, Egjipti njofton se është arritur një armëpushim midis palestinezëve dhe izraelitëve”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.

Të dy palët do t’i përmbahen armëpushimit, i cili do të përfshijë ndërprerjen e shënjestrimit të civilëve, prishjen e shtëpive dhe ndërprerjen e synimeve të individëve sapo të hyjë në fuqi armëpushimi.

Një zëdhënës i Xhihadit Islamik konfirmoi se është arritur një armëpushim, ndërsa zyrtarët izraelitë nuk e kanë konfirmuar.

Edhe kur armëpushimi u finalizua, të dy palët vazhduan të gjuanin, me sirena paralajmëruese që u ndezën në jug të Izraelit dhe ushtria izraelite njoftoi se kishte goditur gjashtë poste komanduese operacionale të Xhihadit Islamik.

Lexo po ashtu I burgosuri i njohur palestinez Khader Adnan vdes në burgun izraelit pas grevës 87-ditore të urisë

Izraeli nisi valën e fundit të sulmeve ajrore herët në mëngjes të martën, duke njoftuar se kishte në shënjestër komandantët e Xhihadit Islamik që po planifikonin sulme në Izrael. Si kundërpërgjigje, grupi i mbështetur nga Irani hodhi qindra raketa, duke dërguar 1.5 milion izraelitë në strehimoret e sulmeve ajrore.

Gjatë fushatës pesë-ditore, Izraeli vrau gjashtë komandantë të lartë të Xhihadit Islamik dhe shkatërroi një numër instalimesh ushtarake, por sulmet ajrore vranë gjithashtu të paktën dhjetë civilë, përfshirë gra dhe fëmijë. /Telegrafi/