Egjipti ka paraqitur një propozim për zgjidhjen përfundimtare të luftës midis Izraelit dhe Hamasit, sipas zyrtarëve egjiptianë.
Ky plan propozon tre faza “të njëpasnjëshme”, të cilat përfundojnë me një armëpushim të përhershëm.
Thuhet se Izraeli dhe Hamasi e kanë marrë propozimin, ndërsa Egjipti është në pritje të përgjigjes, shkruan skynews, përcjell Telegrafi.
“Për detajet e mëtejshme të planit do të njoftojë Kajro, tha në një deklaratë Diaa Rashwan, kreu i shërbimit shtetëror të informacionit të Egjiptit.
“Propozimi është një përpjekje për të afruar pikëpamjet midis palëve të interesuara, duke ndaluar gjakderdhjen palestineze dhe agresionin në Rripin e Gazës, për të rivendosur paqen dhe stabilitetin në rajon”, tha Rashwan.
Egjipti ka konfirmuar se deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje në lidhje me planin e propozuar.
Lufta në Gazë ka shpërthyer pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi, ku mbetën të vrarë 1,200 njerëz, dhe u morën peng 240 të tjerë. /Telegrafi/