Zyrtarët e sigurisë së Izraelit pohojnë se presidenti sirian Bashar al Asad ende posedon deri tre tonë armë kimike, ndërkohë që Organizata për ndalimin e armëve kimike thotë se në sulmin e fundit në Siri është përdorur gazi sarin.
Izraeli, si dhe shumica e pjesës së bashkësisë ndërkombëtare besojnë se forcat e Asadit kanë kryer sulm kimik në Siri, kur ishin mbytur 87 persona.
Një zyrtar i paemëruar ushtarak tha se shërbimi i inteligjencës izraelite vlerëson se Asad ka ndërmjet një deri tre tonë armë kimike, ndërsa këtë vlerësim e kanë konfirmuar edhe dy zyrtarë ushtarakë, transmeton AP.
Presidenti sirian ka hedhur poshtë këto pohime, përderisa Siria që nga viti 2013 ka pranuar të dorëzojë arsenalin e saj të armatimit kimik.
Drejtori i Organizatës për ndalimin e armëve kimike, Ahmet Uzumcu deklaroi se rezultatet e hetimit tregojnë se në sulmin kimik në Siri është përdorur gazi sarin, ose një substancën e ngjashme.
Sipas fjalëve të tij, rezultatet e analizave që tashmë janë marrë, janë “të pa kontestuara”, transmeton AFP.
Shefi i diplomacisë franceze, Jean-Marc Ayrault tha sonte se vendi i tij do të dëshmojë se presidenti sirian Bashar Al-Assad në sulmin e fundit në Idlib ka përdorur armë kimike.