Izraeli dhe Turqia kanë arritur marrëveshje për të normalizuar marrëdhëniet, kanë konfirmuar sot zyrtarët e të dyja vendeve.
Marrëdhënia mes dy vendeve ishin në krizë që nga viti 2010, kur komandoja detare e Izraelit kishte bastisur një anije humanitare në Detin Mesdhe teksa ajo ishte rrugës për në Rripin e Gazës. Nëntë qytetarë turq ishin vrarë në këtë incident.
Sipas marrëveshjes së finalizuar në fundjavë në Romë, përcjell GSH, Izraeli ka përmbushur kërkesat e Turqisë për të kompensuar familjet e viktimave turke, duke kontribuar me 20 milionë dollarë në fondin e viktimave.
Ankaraja, në anën tjetër, do të heqë dorë nga paditë penale kundër ushtarëve izraelitë, të përfshirë në incident.
Turqisë po ashtu do t’i lejohet të dërgojë ndihma humanitare në Rripin e Gazës dhe të investojë në projektet infrastrukturore atje.