Izraeli dhe Kosova do ta nisin përballë njëra tjetrës kampanjën për kualifikimet e Kampionatit Evropian, Euro 2024.
Dy ekipet përfaqësuese ndodhen në Grupin I, së bashku me me Zvicrën, Rumaninë, Bjellorusinë dhe Andorrën.
Si vendasit e Izraelit ashtu edhe Kosova shihen si ndër skuadrat favorite për pozitën e dytë, pasi Zvicra duket e destinuar për të marrë vendin e parë në grup.
Vlera e dy përfaqësuesve, Kosova më lartë
Kosova është më lartë sa i përket vlerës totale nga 25 futbollistët e grumbulluar për këto dy ndeshje të muajit mars.
Dardanët kanë një vlerësim të përgjithshëm prej 93,25 milionë eurove.
Ndërkohë sa i përket ekipit vendas, Izraeli ka një vlerë totale prej 61,15 milionë euro nga 24 futbollistë të grumbulluar nga trajneri Alon Hazan.
Ylli i Izraelit dhe ai i Kosovës
Futbollisti kryesor i Izraelit padyshim se është sulmuesi anësorë Manor Solomon.
23-vjeçari luan në Ligën Premier te Fulham dhe është lojtari kryesor te izraelitët.
Solomon mbanë edhe vlerën më të madhe nga vendasit, pasi ai ka një vlerë në ‘Transfermarkt’ prej 18 milionë eurove.
Në anën tjetër futbollisti kryesor i Kosovës, është kapiteni Amir Rrahmani.
29-vjeçari luan në klubin më të madh nga gjithë futbollistët e Kosovës, pasi është një lider në mbrojtjen e gjigantit italian Napoli.
Rrahmani është edhe futbollisti më i shtrenjtë i Kosovës, pasi vlera e tij në ‘Transfermarkt’ është 25 milionë euro.
Forma e dy përfaqësueseve në 10 ndeshjet e fundit
Izraeli dhe Kosova kanë një formë të njëjtë në 10 ndeshjet e fundit të zhvilluara.
Si vendasit ashtu edhe mysafirët në 10 ndeshjet e fundit kanë nga katër fitore, tre barazime e tre disfata.
Izraeli ka triumfuar ndaj Ishujve Faroe, ka mposhtur dy herë Shqipërinë dhe Zambinë një herë tjetër. Ndërkohë kanë barazuar dy herë me Islandën dhe Rumaninë.
Tre disfatat e Izraelit në 10 ndeshjet e fundit janë nga Gjermania, Malta dhe Qipro.
Në anën tjetër Kosova ka fituar ndaj Burkina Fasos, Irlandës Veriore dhe dy herë ndaj Qipros.
Dardanët kanë barazuar në tre sfida ndaj Zvicrës, Armenisë dhe Ishujve Faroe, derisa kanë pësuar dy humbje nga Greqia dhe një tjetër nga Irlanda.
Pozita në ranglistën e FIFA-s, Izraeli qëndron më lartë
Izraeli qëndron shumë më lartë se Kosova në ranglistën e shtëpisë më të madhe të futbollit botëror FIFA.
Vendasit janë në pozitën e 76-të që nga dhjetori kur është përditësuar për herë të fundit ranglista e FIFA-s.
Ndërkohë Kosova ndodhet plot 31 pozita më poshtë se vendasit.
Dardanët që nga dhjetori zënë vendin e 107-të. /Telegrafi/