Site icon Telegrafi

IZHPS letër publike Kurtit: Në cilën ministri do të bartet Departamenti i Politikave Sociale dhe Familjes

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale i është drejtuar me një letër publike kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti në lidhje me Departamentin që merret me Politikat Sociale dhe Familjen, që sipas tyre ende zyrtarisht nuk dihet se në cilën Ministri është pozicionuar.

Ky institut beson dhe shpreson se politikat sociale dhe mirëqenia e familjes do të jenë prioritet i Qeverisë Kurti.

Ky Institut përmes kësaj letre drejtuar Kurtit thotë se nga disa analiza të realizuara nga akterë të ndryshëm qeveritar dhe joqeveritar dalin përfundime për gjendjen shumë të pafavorshme dhe të renduar për sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale familjare dhe zbatimit të politikave sociale në vendin tonë.

“Në një vend të vogël siç është Kosova, brenda vitit janë mbi 2 000 raste të dhunës në familje dhe viktima të trafikimit, janë rreth 25 000 familje me 100 000 anëtarë në skemën e asistencës sociale, rreth 3 500 të verbër, 20 000 pensione të aftësisë së kufizuar, rreth 3 000 fëmijë me aftësi të kufizuar, qindra viktima të dhunës seksuale, mijëra fëmijë delikuent në konflikt me ligjin, mijëra persona të riatdhesuar, mijëra raste të shkurorëzimeve, dhjetëra fëmijë të braktisur, qindra fëmijë në situatë rruge dhe punë të renda, dhe mijëra klientë të tjerë përfitues të shërbimeve sociale profesionale”, thuhet ndër të tjera në këtë letër.

Përmes kësaj letre, Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale kërkojnë vëmendjen dhe fokusin e Qeverisë Kurti në avancimin e shërbimeve sociale dhe familjare, dhe njëkohësisht shprehin gatishmërinë për të kontribuar në adresimin e gjitha çështjeve në letër.

Më poshtë e keni letrën e plotë:

Letër për Kryeministrin

I nderuar Kryeministër i Republikës se Kosovës Z. Kurti

Edhe pse kaluan një javë nga krijimi i Qeverise, ende nuk ka ndonjë informatë zyrtare së në cilën Ministri do të bartet Departamenti përkatës i cili merret me Politikat Sociale dhe Familjen, pasi që në strukturën e re të Qeverisë nuk figuron tani më Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Instituti për Zhvillimin e Politikave Sociale – IZHPS beson dhe shpreson se politikat sociale dhe mirëqenia e familjes do të jetë një nga prioritetet e kësaj qeverie.

Nga disa analiza të realizuara nga akterë të ndryshëm qeveritar dhe joqeveritar dalin përfundime për gjendjen shumë të pafavorshme dhe të renduar për sa i përket ofrimit të shërbimeve sociale familjare dhe zbatimit të politikave sociale në vendin tone.

Në një vend të vogël siç është Kosova, brenda vitit janë mbi 2 000 raste të dhunës në familje dhe viktima të trafikimit, janë rreth 25 000 familje me 100 000 anëtarë në skemën e asistencës sociale, rreth 3 500 të verbër, 20 000 pensione të aftësisë së kufizuar, rreth 3 000 fëmijë me aftësi të kufizuar, qindra viktima të dhunës seksuale, mijëra fëmijë delikuent në konflikt me ligjin, mijëra persona të riatdhesuar, mijëra raste të shkurorëzimeve, dhjetëra fëmijë të braktisur, qindra fëmijë në situatë rruge dhe punë të renda, dhe mijëra klientë të tjerë përfitues të shërbimeve sociale profesionale.

Decentralizmi i shërbimeve sociale i cili ka ndodhur në vitin 2009 ku me bartjen e kompetencave në nivel lokal, shërbimet sociale vetëm sa kanë stagnuar, dhe më shumë se njëmbëdhjetë (11) vjet më pas gjendja është edhe më e keqe në organizimin dhe ofrimin e shërbimeve sociale dhe profesionale nga Komunat.

Shërbimet sociale profesionale dhe asistenca sociale është ofruar dhe do të vazhdoj të ofrohet pranë qytetarëve brenda Komunave, por politikë bërja, mentorimi, monitorimi dhe inspektimi bëhet nga niveli qendror nga Ministria përkatëse. Praktikat e shteteve përreth dhe më gjerë kane dëshmuar se shërbimet sociale efikase mund të bëhen vetëm kur janë të centralizuara dhe nen mbikëqyrjen e një Ministrie të vetme, për çështje sociale dhe familje siç ka qenë edhe në Kosovë MPMS-ja e siç duket se më nuk do të jetë.

Gjitha vlerësimet tregojnë se decentralizmi ka qenë një hap i ngutshëm i cili ka dështuar tërësisht dhe bartja e kompetencave dhe përgjegjësive për Qendrën për Punë Sociale – QPS në vitin 2009 nën menaxhimin dhe mbikëqyrjen e Komunave gjegjësisht Drejtorive Komunale për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka hasur në një sfidë e cila edhe më tej ka thelluar gjendjen e keqe në ofrimin e shërbimeve dhe organizmin e tyre, pasi fokusi i Kryetarëve të Komunave dhe Drejtorive ka qenë në Shëndetësi dhe jo në shërbime sociale profesionale, duke i lëne shërbimet sociale pa përkrahje: financiare, profesionale, në ngritje te kapaciteteve humane, pa infrastrukture të duhur dhe të nevojshme dhe pa mjete pune.

Ne vlerësojmë se Qeveria juaj duhet të marr në konsideratë dhe të punoj në fuqizimin e shërbimeve sociale, por dhe të përkrah në zhvillimin dhe ngritjen e resurseve njerëzore dhe përkrahjen financiare për ofrimin e shërbimeve cilësore dhe gjithëpërfshirëse për të gjitha kategoritë në nevojë.

Në kuadër të shërbimeve sociale profesionale hyjnë më tepër se 60 lloje te klientëve (përfitues të shërbimeve sociale profesionale) dhe mbi 90 shërbime të ndryshme për fëmijë, të rinj, të rritur dhe familjen. Në Kosovë aktualisht janë 5 Komuna të cilat nuk kanë fare të themeluar Qendra për Punë Sociale dhe nuk kanë asnjë staf të punësuar si neglizhencë e Komunave dhe Ministrive përkatëse.

Në kuadër të shërbimeve sociale hyjnë gjitha llojet e fëmijëve pa përkujdesje familjare, gjitha llojet e aftësisë së kufizuar, viktimat e krimit qoftë fëmijë apo të rritur, të moshuarit pa përkujdesje familjare, personat me çrregullime mendore, përdorues të shumte të substancave psiko aktive, gjitha format e keqtrajtimit të fëmijëve dhe të rriturve, si dhe përkrahja përmes ndihmës së asistencës sociale e cila është jashtëzakonisht e vogël për të mbuluar shpenzimet e një familje të varfër me persona të paaftë për punë dhe në gjendje të renduar shëndetësore.

Njëkohësisht e shohim me shqetësim raportimet në media për ndarjen e disa dikastereve neper ministri te ndryshme siç janë skemat e asistencës sociale pasi ato janë në vetvete shërbime sociale dhe nuk do të duhej të konsideroheshin vetëm si pagesa, sepse nëse llogariten si transfere e legalizojmë faktin që në Kosovë në mënyrë konstante do ekzekutohen pagesa dhe transfere, pa provuar të punojmë në ngritjen e kapaciteteve të familjeve për angazhim për punë, vetëkujdes dhe fuqizim familjar. Asistenca sociale është përkrahje e përkohshme derisa sa familja tejkalon vështirësitë momentale dhe të arrijë të fuqizohet për jetë të pavarur. Pagesat mund të realizohen ashtu siç janë realizuar edhe deri më tani, por shërbimet sociale në vete ngërthejnë një qasje holisitike e cila përfshin vlerësimin profesional, planifikimin profesional, shërbime sociale multi-disciplinare apo ndër sektoriale.

Krejt në fund, ne si IZHPS ( Institut për Zhvillimin e Politikave Sociale) shpresojmë se shumë shpejt Qeveria e Republikës se Kosovës në krye me juve do të dal me një plan adekuat të organizimit, strukturimit dhe avancimit të shërbimeve sociale profesionale të harruara për shumë vite, të cilat janë në ditën e tyre më të keqe.

Ne përmes kësaj letre kërkojmë vëmendjen dhe fokusin e juaj ne avancimin e shërbimeve sociale dhe familjare, dhe njëkohësisht shprehim gatishmërinë tonë për të kontribuar në adresimin e gjitha çështjeve në letër!

Me respekt

Stafi i IZHPS-së

Exit mobile version