Taksa 100 për qind për mallrat serbe është bërë kryetemë edhe në Parlamentin e Serbisë, ku ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka pasur një përplasje me deputetin Çedomir Jovanoviq, të cilët replikuan për disa minuta me një gjuhë të ashpër.
Ishte pikërisht shefi i diplomacisë serbe Daçiq i cili doli në foltore duke pretenduar kinse ka arritur të bind disa shtete ta tërheqin njohjen e Kosovës, por i menjëhershëm ishte reagimi i Jovanoviqit, i cili i tha se pikërisht qeveria në të cilën bën pjesë Daçiq nuk janë duke bërë kurrfarë pune, transmeton Telegrafi.
Derisa Daçiq lavdërohej dhe zotohej se kinse nuk do të ketë vazhdim të dialogut pa heqjen 100 për qind të taksës për mallrat serbe në Kosovë, në një moment ai ia rikujtoi Jovanoviqit se ai që nga përfundimi i luftës në Kosovë është deklaruar pro pavarësisë së vendit.
Por, ishte pikërisht kjo deklaratë që e nervozoi më shumë Jovanoviqin i cili i reagoi ashpë,r duke bërë kështu që përplasja e tyre të vazhdojë edhe pasi u janë fikur mikrofonat nga kryesuesi i seancës. /Telegrafi/