Kabineti i presidentit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka dalur me reagim për ngjarjet e fundit në lidhje me dëbimin e diplomatit rus nga Maqedonia.
Nga kabineti i tij, thonë se Maqedonia si vend kandidat për anëtarësim në BE, e ndjek me kujdes politikën dhe vendimet e saj, njofton Telegrafi Maqedoni.
“Duke pasur parasysh se vendimet për dëbimin e diplomatëve rus nuk paraqesin qëndrim të të gjithë vendeve anëtare të BE-së, por bëhet fjalë për vendime individuale të vendeve anëtare, presidenti Ivanov thekson se vendimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë është i përshpejtuar”, thonë nga kabineti i Ivanovit.
Në njoftim më tej thuhet se presidenti Ivanov bën thirrje për përmbajtje në politikën e jashtme, që të parandalohet dëmtimi i qëllimeve strategjike të Maqedonisë.
Përndryshe, gjatë ditës së djeshme në solidarizim me Britaninë e Madhe, Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë solli vendim që të dëbojë një diplomat rus nga vendi./Telegrafi/