Presidenti i Maqedonisë Gjorge Ivanov me rastin e shënimit të 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dërgoi urime deri te të gjithë shqiptarët e Maqedonisë. Me shënimin e kësaj feste, thekson Ivanov, ne i konfirmojmë angazhimet tona për ndërtimin e një të ardhme të përbashkët, më të mirë dhe më të ndritshme.
“Dita e sotme, 22 Nëntori, lidhet me Kongresin e Manastirit të mbajtur në vitin 1908 në të cilin intelektualët shqiptarë nga Ballkani e unifikuan alfabetin shqip. Themelimi i alfabetit është një prej arritjeve dhe shënimeve të identifikimit nacional të një populli. Gjuha shqipe është pjesë përbërëse e pasurisë kulturore në Republikën e Maqedonisë, Me shënimin e tij ne i konfirmojmë angazhimet tona për ndërtimin e një të ardhme të përbashkët, më të mirë dhe më të ndritshme”, thotë Ivanov në urim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Respektimi i ndërsjellë i diversitetit, shton presidenti, duhet të jetë nxitje për afrimin mes vete, e jo për shpërndarje në shoqërinë multientike të Maqedonisë.
“Si qytetarë të shtetit tonë të përbashkët ne duhet të qëndrojmë së bashku dhe të jemi shembull si punohet së bashku për të mirën e Republikës së Maqedoni, sepse vetëm të bashkuar rreth interesave shtetërore do të arrijmë të përballemi me sfidat”, thotë presidenti i Maqedonisë.
Duke ua uruar Ditën e alfabetit, shqiptarëve të Republikës së Maqedonisë, ai porosit se vetëm me kujdesin dhe me vlerësimin e diversitetit kulturor dhe gjuhësor do të arrijmë të ndërtojmë një të ardhme me prosperitet, një të ardhme për të gjithë qytetarët në Republikën e Maqedonisë./Telegrafi/